Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar për plagosjen me thikë të efektivit mbrëmjen e së martës në Himarë. Në një reagim, Balla dënon veprimin ndërsa thekson se kushdo që guxon të ngrejë dorë kundër një punonjësi policie duhet ta dijë mirë se po kryen një krim të rëndë kundër shtetit.
“Redin Caushaj mban detyrën e inspektorit në Policinë e Shtetit dhe dje edhe pse jashtë orarit të shërbimit është përpjekur të bëjë detyrën duke ndërhyrë për shuarjen e një konflikti mes dy shtetasve, siç jam informuar menjëherë mbrëmë nga Drejtori i Përgjithshëm. Në këtë përpjekje të punonjësit të policisë, njëri nga shtetasit e ka goditur me armë të ftohtë duke e plagosur rëndë. Autori i këtij krimi është arrestuar sot në të gdhirë nga forcat tona të Policisë së Shtetit dhe pres nga Prokuroria Vlorë të bëjë një hetim të plotë, të pavarur dhe një ndërshkim të ashpër për fajtorin. Kushdo që guxon të ngrejë dorë kundër një punonjësi policie duhet ta dijë mirë se po kryen një krim të rëndë kundër shtetit”, shkruan Balla.
Ministri bën me dije se gjendja shëndetësore e efektivit Redin Çaushaj po shkon drejt përmirësimit.
“Prej mbrëmë, pak para mesnate, një nga djemtë e rinj dhe të përkushtuar të Policisë së Komisariatit Himarë, Redin Çaushaj, po lufton për jetën në Reanimacionin e Spitalit të Vlorës. Mjekët dhe infermieret e këtij spitali kanë bërë më të mirën dhe gjendja shëndetësore e Redianit, edhe pse vazhdon e rëndë, po shfaq përmirësime dhe paraqitet e stabilizuar në parametrat jetikë për momentin. Redini do të vazhdojë të qëndrojë në Reanimacioin e Spitalit Vlorë, pas konsultimit që patëm me mjekët dhe drejtuesit e Spitalit”, informoi ai.
Ngjarja u regjistrua te kthesa e fshatit Pilur, ku disa persona kanë qenë duke u konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin. Në momentin që po ndodhte konflikti, efektivi, me detyrë inspektor i Policisë së zonës në Lukovë, jashtë orarit të shërbimit, ka qenë duke kaluar në rrugë dhe ka ndërhyrë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.
Policia ka arrestuar autorin e ngjarjes i cili akuzohet për veprën penale “vrasja e punonjësve të policisë së shtetit”, mbetur në tentativë.