Duke nisur nga viti 2027, bashkitë do të kenë detyrimin ligjor të hartojnë planet vendore për energjinë, klimën dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.
Gjithçka përcaktohet në projektligjin “Për ndryshimet klimatike”, që është depozituar në Kuvend, ku specifikohet se këto plane do të jenë pjesë e strategjisë kombëtare për energjinë dhe klimën dhe do të mbulojnë një periudhë 10-vjeçare.
Planet vendore do të miratohen nga Këshillat Bashkiakë dhe do të rishikohen çdo 5 vjet ose kur vlerësohet e nevojshme.
Sipas projektligjit, bashkitë duhet të përgatisin gjithashtu raporte mbi progresin e zbatimit të planeve, në përputhje me formatet dhe kërkesat që do të miratohen nga Këshilli i Ministrave. Kjo detyrë duhet të përfundojë jo më vonë se 12 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit.
Ky detyrim vjen pas atij të përcaktuar në ligjin “Për eficiencën e energjisë”, që detyron çdo bashki të hartojë Planin Vendor të Veprimit për Eficiencë të Energjisë, me qëllim reduktimin e përdorimit të energjisë në nivel vendor, duke sjellë përmirësime të ndjeshme edhe në mjedis.
Megjithatë, ky detyrim ka gjetur pak zbatim dhe aktualisht një numër shumë i vogël bashkish i disponojnë.
Miratimi i këtyre dokumenteve strategjike me politikat dhe masat për kursimin e energjisë, mbi bazën e konsumit në nivel lokal janë konsideruar më herët nga ekspertët si pikënisja në drejtim të përmbushjes së objektivave kombëtare të vendosur në Planin e Integruar të Energjisë dhe Klimës, si dhe për arritjen e detyrimeve që ka vendi ynë në kuadër të Axhendës së Gjelbër dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian.