Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut nga partitë e koalicionit opozitar, Arben Taravari, ka reaguar në lidhje me deklaratën e Bujar Osmanit i cili tha së fundmi se si udhëheqës i OSBE-së ishte ai që e kishte bërë një plan 9 pikësh për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Taravari shkruan se është shokuar kur ka kuptuar se Osmani ka bërë këtë plan dhe jo ndërkombëtarët. Ai më tej shtoi se Osmani ka keqpërdorur pozicionin e tij për t’i bërë argatin Serbisë duke bërë te vetat kërkesat e Beogradit.
“Tash sapo lexova komunikatën e lëshuar nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës në lidhje me planin 9 pikësh të OSBE-së për Kosovën. Qeveria e Kosovës paska zbuluar dje se në fakt ky plan është shkruar nga vetë dora e Bujar Osmanit e jo nga ndërkomëtarët. Jam i shokuar të kuptoj se Osmani, si kryesues shqiptar i OSBE-së, ka keqpërdorur pozicionin e tij për t’i bërë argatin Serbisë duke bërë te vetat kërkesat e Beogradit”, shkruan Taravari në një postim në Facebook.
“Plani 9 pikësh i Bujar Osmanit ka kërkuar tërheqjen e policisë speciale të Kosovës, nga territori legjitim i Kosovës. Ai ka kërkuar poashtu dorëheqjen e kryetarëve shqiptarë të komunave veriore. Dokumenti i Bujar Osmanit ka kërkuar që të mos qëndrojnë në veri ata heronjë që na bënë krenarë të gjithëve në rastin e sulmit të Vuçiçit në Banjskës, ku u vra nga terroristët serbë polici dëshmor Afrim Bunjaku”, shton ai.
Taravari shkruan se nëse Qeveria e Kosovës do ta pranonte planin e hartuar nga Bujar Osmani bandat e Vuçiçit nuk do të kishin gjetur rezistencë.
“Na vjen të gjithëve vështirë, kur një politikan shqiptar nga Maqedonia e Veriut, siç është Bujar Osmani, mban qëndrime të tilla antikombëtare në rastin e Kosovës”, shkroi ai.