Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi zyrtarisht të martën programin e investimeve ushtarake të Veprimit për Sigurinë për Evropën (SAFE), i cili do të sigurojë 150 miliardë euro për shtetet anëtare (dhe të tjerët) që paraqesin plane për shpenzime dhe investime në mbrojtje, duke përfshirë blerjen e armëve dhe municioneve.
Një element tjetër i rëndësishëm është se programi SAFE do të zgjerohet jo vetëm në vendet anëtare, por dhe për vendet që kanë statusin e kandidatëve për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe ato që kanë partneritete në mbrojtje dhe siguri me Unionin.
“Ky vendim na ndihmon që të hyjmë në prokurime sigurisht me vende të BE-së, është një mjet shtesë që hap skenarë të rinj për ne, por konkretisht ende nuk ka asgjë”, pranoi një zyrtar i Mbrojtjes shqiptare për Albanian Post.
Vetë titullari i institucionit, Pirro Vengu e vlerësoi vendimin e Unionit gjatë një bashkëbisedimi me ambasadorët e vendeve të BE-së.
Ministri i Mbrojtjes diskutoi në takim mbi investimet në mbrojtje dhe zhvillimin e kapaciteteve prodhuese të industrisë ushtarake.
“Investimet në mbrojtje që sjellin përfitime edhe në fusha civile, nxisin inovacionin dhe gjenerojnë vlerë të shtuar ekonomike në vendin tonë, përbëjnë një prioritet të rëndësishëm në agjendën e Qeverisë shqiptare. Në këtë kontekst, vlerësova vendimin e Bashkimit Evropian për të përfshirë Shqipërinë në mekanizmat dhe projektet e përbashkëta në fushën e mbrojtjes”, shkruan Vengu.
Thomas Regnier, zëdhënës i BE-së për Mbrojtjen, shpjegoi më herët për AP-në se “vendet e EEA/EFTA dhe Ukraina mund të marrin pjesë në prokurimet e përbashkëta së bashku me Shtetet Anëtare, por ato nuk do të mund të marrin kredi”.
Sipas tij, SAFE do të lejojë gjithashtu vendet që do të anëtarësohen, vendet kandidate, kandidatët potencialë dhe vendet që kanë nënshkruar një Partneritet për Sigurinë dhe Mbrojtjen me BE-në “të bashkohen me prokurimet e përbashkëta dhe të kontribuojnë në kërkesën e përgjithshme”.
“Ata gjithashtu mund të negociojnë marrëveshje specifike, me përfitim reciprok për pjesëmarrjen e industrive të tyre përkatëse në prokurime të tilla”, thekson zyrtari i BE-së.
Shtetet anëtare mund të kenë deri në 150 miliardë euro kredi, të strukturuara në mënyrë të favorshme për sa i përket normave të interesit dhe kushteve të shlyerjes (maturimi i gjatë, deri në 45 vjet dhe një periudhë mospagimi 10-vjeçare për shlyerjen e principalit).
Kreditë do të mbështesin kryesisht prokurimin e mbrojtjes në shtatë fusha prioritare, të cilat janë thelbësore për forcimin e pozicionit të mbrojtjes së BE-së: Mbrojtja ajrore dhe raketore; sistemet e artilerisë; raketa dhe municione; drone dhe sisteme anti-drone; mbrojtja e infrastrukturës kritike, duke përfshirë asetet e lidhura me hapësirën; lëvizshmëria ushtarake; kibernetike, AI dhe lufta elektronike.
Rijetëzimi i industrisë ushtarake në Shqipëri përfshin dy fusha të përmendura në propozimin e BE-së, si municionet dhe dronët, duke lënë të hapur mundësinë për kompanitë prestigjoze të mbrojtjes që të investojnë në vendin tonë, mëson Albanian Post.
Vende të tjera të treta mund të marrin pjesë gjithashtu nëse kanë një Partneritet të Sigurisë dhe Mbrojtjes me BE-në.
Një të tillë, autoritetet shqiptare e nënshkruan në fund të vitit të kaluar duke rinovuar “partneritetin strategjik” të sigurisë dhe mbrojtjes me Bashkimin Evropian, në prani të kryediplomates evropiane Kaja Kallas.