Pak para se të zbardhte dita në fund të pranverës, një gomone e fryrë që mbante me dhjetëra njerëz arriti në brigjet e ishullit grek të Samos në afërsi të Turqisë.
Brenda 24-orësh, thonë grupet për të drejtat e refugjatëve, i njëjti grup i refugjatëve u kthye mbrapsht me të njëjtën gomone.
Mirëpo, nga 32 personat sa arritën në ishullin Samos, 28 ishin kthyer mbrapsht me gomonen. Katër ditë më vonë, katër të zhdukurit, një grua palestineze me tre fëmijët e saj, u panë në qytetin Vathy në Samos.
U kishin shpëtuar autoriteteve greke. Bëri kërkesë për azil dhe gjatë javës së kaluar u informua se kërkesa ishte pranuar.
Huda Zaga rrëfen për përvojën në gomonen e stërmbushur me njerëz.
“Ika me 32 njerëz në një anije të vogël që ishte e mbushur. Nisëm udhëtimin në det. Është dashur të zgjaste tri deri në katër orë, por zgjati shtatë orë për shkak të problemeve që kishim dhe u vonuam”, ka thënë ajo.
Dimitris Choulis, avokati i cili ndihmoi 31-vjeçaren të aplikonte për azil, së bashku me vajzën 12-vjeçare dhe djemtë të moshave 11 dhe 5 vjeç, thotë se shpëtimi i saj ishte mrekulli dhe shenjë se Greqia po dëbon refugjatët.
“Konsideroj se ardhja e kësaj gruaje, nëse nuk po flasim për një mrekulli, për rënien e saj nga qielli, është një provë e qartë për një kthim mbrapa”, ka thënë ai.
Zaga thotë se arriti në Samos më 21 prill, me një gomone të mbushur me njerëz. Pasi zbarkuan, grupi nisi vrapimin drejt pyllit. U nda për t’i shmangur autoritetet.
Nuk kaloi shumë kohë dhe nisën postimet në rrjetet sociale. Një gazetare lokale njoftoi për mbërritjen e emigrantëve. Banorët e tjerë pranuan se u kishin ofruar ushqim dhe ujë. Mirëpo, teksa dita shkonte, historia nisi të ndryshojë.
Gazetarja kontaktoi autoritetet dhe u tha se emigrantët nuk ishin të sapoardhur, por banorë të një kampi refugjatësh në periferi të qytetit Vathy. Krejt ditën kishin ecur 50 kilometra.
Disa banorë ishin urdhëruar nga autoritetet që të mos flisnin për ato që kishin parë. Ata folën në kushte anonimiteti, duke thënë se nuk dëshironin probleme.
Zaga rrëfen se u nda nga të tjerët duke qëndruar prapa me fëmijët e saj dhe ra në kontakt me njerëzit që kishin ndihmuar në realizimin e udhëtimit të saj për në Samos.
Ajo nuk ofroi detajet se si arriti t’i shmangej zbulimit dhe se kush e ndihmoi të kontaktonte avokatin. Por, më 26 prill arriti në zyrën e Choulis duke kërkuar ndihmë.
Për Choulisin, aplikimi i suksesshëm i Zagas për azil shpërfaq rreziqet e dëbimeve, të cilat, ndonjëherë, thuhet se janë kryer nga burra të maskuar pa shenja të dukshme në uniformat e tyre, për ta fshehur identitetin.
“Fakti që kërkesa e saj për azil u pranua, tregon se sa e rrezikshme është për burrat e maskuar të rojave bregdetare ose policisë të gjykojnë se kush ka të drejtë azili dhe kush jo. Nuk mund ta lëmë fatin e diçkaje aq të rëndësishme sa e drejta e azilit të përcaktohet në mes të detit ose në brigjet e detit”.
Thotë se u largua nga shtëpia e saj në rajonin Nablus të Bregut Perëndimor për disa arsye, por kryesisht për t’i shpëtuar një burri abuziv, i cili sulmoi djalin e saj të madh.
Shpreson të arrijë përfundimisht në Belgjikë, ku jeton motra e saj.