Administrata e presidentit amerikan Donald Trump duket se ka në duar një plan për Gazën pas luftës, ku parashikohet që zona të jetë nën kontrollin e SHBA-së për një dekadë, si dhe të bëhet një rezort turistik, ndërsa dy milionë banorë të Gazës të shpërngulen prej andej.
Këto plane u raportuan të dielën nga gazeta The Washington Post bazuar në një dokument 38-faqësh që pati mundësinë të shohë.
Edhe agjencia Reuters pati raportuar më parë mbi propozimin për ndërtimin e kampeve të mëdha të quajtura “Zona Tranziti Humanitar” brenda dhe jashtë Gazës, ku do të jetonin banorët e shpërngulur përkohësisht.
Banorët që posedojnë tokë aktualisht në territorin palestinez do u ofrohej një “shenjë digjitale” në këmbim të të drejtave për ta rizhvilluar pronën e tyre, sipas The Washington Post, dhe do u siguroheshin 5 mijë dollarë para kesh, si dhe mbulimi i qirasë për katër vite. Sipas planit të raportuar në medie, këta individë do të përfitonin ushqim falas për një vit.
Sipas gazetës amerikane, plani i ashtuquajtur “Trusti për Rithemelimin, Përshpejtimin Ekonomik dhe Transformimin e Gazës” (Trusti GREAT) është konceptuar nga Fondacioni Humanitar për Gazën (GHF), që është një grup humanitar i ngritur me ndihmën e SHBA-së.
GHF-ja tanimë koordinohet me ushtrinë izraelite dhe përdor kompani private amerikane në fushën e sigurisë dhe logjistikës për të dërguar ndihma humanitare brenda Gazës.
Në fillim të muajit gusht, Kombet e Bashkuara njoftuan se më shumë se 1 mijë persona janë vrarë duke kërkuar ndihmat në Gazë që kur GHF-ja nisi të operojë në maj të vitit 2025. Shume prej viktimave janë qëlluar nga forcat izraelite.
Dëshira për vendosjen e Gazës nën kontrollin e përkohshëm të SHBA-së u shpall nga presidenti Trump më 4 shkurt, si dhe ideja për ta kthyer atë në një “Rivierë të Lindjes së Mesme” pas zhvendosjes së popullatës palestineze diku tjetër. /Reuters