Një incident me bazë raciste ndërpreu punimet në parlamentin francez, teksa një deputet i ekstremit të djathtë i tha një kolegu me ngjyrë që “të kthehet në Afrikë”, teksa ai po fliste për politikat e emigracionit.
Pas kësaj ngjarje, Gregoire de Furnas nga partia e Marine Le Pen u përpiq të justifikohej duke thënë se thirrja e tij nuk ishte për deputetin Carlos Martens Bilongo, por për emigrantët që përpiqen të hyjnë në Europë përmes detit.
Deputeti Bilongo i cilësoi këto deklarata të turpshme, ndërkohë që kryeministrja Borne e cila ishte në sallë në momentin e incidentit u shpreh se në parlamentin francez nuk ka vend për racizmin.
Ndërkohë që Asambleja Kombëtare do të takohet gjatë së premtes për të vendosur për masat që do të merren ndaj Gregoire de Furnas.
Në kohën kur deputeti Furnas lëshoi thirrjen raciste, kryetarja e kuvendit, Yael Braun-Pivet, pyeti se kush foli, ndërkohë që kolegët e tjerë i kërkuan të dilte jashtë, duke detyruar në këtë mënyrë ndërprerjen e seancës.