Raporti ndërmjet Juves dhe Paulo Dybala ka qenë shpesh me ulje-ngritje të forta. Takimi i radhës ndërmjet palëve, në program për tu zhvilluar të hënën, ku temë diskutimi mbetet rinovimi i kontratës, vjen në një moment jo të përshtatshëm, vjen pas një eliminimi të turpshëm në 1/8 e Champions.
Si të mos mjaftojë kjo, një ditë më parë, në dhomat e zhveshjes të “Zonjës së Vjetër”, ka pasur një përplasje verbale, shumë e fuqishme, ndërmjet Dybala dhe trajnerit Allegrit. Kjo përplasje e bën edhe më të zymtë të ardhmen e Dybala pasi bëhet fjalë për mentorin e tij, Allegri ka qenë gjithnjë mbështetja më e madhe për Dybala.
Por çfarë ndodhi ndërmjet tyre? Dybala dhe Cuadrado shkuan tek Allegri për ti kërkuar atij planin e punës për sfidën e së dielës kundër Salernitana. Me shumë mundësi, ekipi do të qëndrojë i grumbulluar në Continassa. Dybala dhe një pjesë e mirë e lojtarëve latin kërkonin ndonjë orë më shumë pushim, dhe për t’ia kërkuar këtë gjë trajnerit shkoi pikërisht Dybala, në rolin e zëvendës kapitenit.
Allegri nuk e ka pritur mirë këtë kërkesë dhe në këto momente trajneri ka shpërthyer ndaj Dybala duke iu drejtuar me fjalët: “Pikërisht ti Paulo më bën një kërkesë të tillë?” Kjo kërkesë i ka tingëlluar keq, pikërisht nga lojtari që Allegri kishte më shumë besim, për me tepër kur Allegri u rikthye në Torino e vendosi Dybala në qendër të projektit.
Çfarë pritet të ndodh tani? Sigurisht gjëra të tilla ndodhin shpesh në futboll, aq më tepër në dhomat e zhveshjes, por kjo përplasje e Dybala me trajnerin largon edhe më shumë argjentinasin nga Torino, në një kohë kur drejtuesve të klubit i ka ardhur në “majë të hundës” çështja e rinovimit, kërkesat e tepruara të Dybalës dhe loja që po bëjnë agjentët e tij.