Policia kufitare e Rinasit ka goditur dy raste të mosdeklarimit të të hollave në kufi dhe një rast të tentativës për të kaluar kufirin me dokumente false.
Bëhet fjalë për një shtetas anglez dhe një italiane me banim në Londër, të cilët kishin fshehur nga 20 mijë paund secili në trup, teksa hynin në vendin tonë. Po kështu, Policia ka arrestuar një 57-vjeçare, pasi tentoi të dilte nga vendi ynë me pasaportë diplomatike dhe me dokumente pune të dyshuara të falsifikuara, ndërsa ka shpallur në kërkim një tjetër që dyshohet se e ka ndihmuar 57-vjeçaren.
Njoftimi i Policisë
Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, si rezultat i kontrolleve intensive në hyrje/dalje të vendit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe për të garantuar qarkullimin e lirë dhe të sigurt të shtetasve dhe mallrave, kanë konstatuar 3 raste të këtyre paligjshmërive, konkretisht:
-Në hyrje të Republikës së Shqipërisë, gjatë kontrollit fizik, shtetasit anglez W. A., iu gjetën të fshehura në trup, 20 000 paund. Në përfundim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin anglez W. A., 39 vjeç, banues në Londër, si dhe iu sekuestrua shuma e parave.
-Në hyrje të Republikës së Shqipërisë, gjatë kontrollit fizik, shtetases italiane E. M., iu gjetën të fshehura në trup dhe në çantën e dorës, 20 000 paund. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen italiane E. M., 32 vjeç, banuese në Londër, si dhe iu sekuestrua shuma e parave.
– Në dalje të Republikës së Shqipërisë, është arrestuar në flagrancë shtetasja D. I., 57 vjeçe, banuese në Tiranë, pasi tentoi të kalonte kufirin me disa dokumente të dyshuara të falsifikuara (pasaportë diplomatike dhe dokumente pune), të cilat iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, për këtë rast u shpall në kërkim shtetasi H. P., 57 vjeç, pasi dyshohet se ka ndihmuar shtetasen D. I., për të kaluar kufirin, në kundërshtim me ligjin. Vijon puna për kapjen e këtij shtetasi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.