Julian Shehu ishte padyshim lojtari më i mirë i ndeshjes së djeshme mes Serbisë dhe Shqipërisë. Thuajse në të njëjtën linjë është edhe trajneri Ditmar Bicaj, i cili i ftuar në emisionin “Mega Sport” në “A2 Cnn” vlerësoi edhe një detaj nga takimi.
“Një futbollist që na ka befasuar dhe vazhdon të na befasojë është Julian Shehu. Duket sikur ka 10 vite me Kombëtaren, i mrekullueshëm, personalitet, nuk i binte asnjëherë topit kot, cdo top në ajër e fitonte.
Kam parë një kundërsulm të Serbisë në të 78 dhe kam parë një sprint të Shehut, që sapo e kishte bërë një sprint që kthehej nga zona e Serbisë te e Shqipërisë, është një lojtar me parametra europiane”, tha Bicaj.
Nga ana tjetër, Rei Manaj, nuk i përmbajti emocionet. “Erdhëm këtu për të mbajtur në shpinë gjithë Shqipërinë dhe Kosovën, e arritëm të bënim krenar gjithë shtetin tonë, kjo është me rëndësi. Kemi qarë, kemi festuar në dhomat e zhveshjes, nuk mbaj mend më asgjë.
Po na binte të fikët në dhomën e zhveshjes, mirë që pimë pak ujë me sheqer se do të kishim rënë aty. Besoj se ka Zot, unë nuk i shoh komentet pas asaj humbje penalltie, më erdhi keq për familjen që i lexon dhe vuan, por tani po kalojnë ditët më të bukura në botë”, tha Manaj.