Prej më shumë se dy vitesh në Bashkimin Europian po zhvillohet një debat i madh, por shumë pak i kuptuar nga publiku i gjerë. Ai lidhet me një propozim ligjor që njihet si ChatControl, një rregullore që synon të luftojë abuzimin seksual ndaj fëmijëve online. Qëllimi është i drejtë, por mjeti që propozohet rrezikon të çojë Europën në një epokë të re kontrolli, ku privatësia e komunikimeve mund të zbehet deri në zhdukje.
Gjithçka nisi në vitin 2021, kur Komisioni Europian propozoi që platformat digjitale të kenë detyrim të skanojnë mesazhet e përdoruesve për të zbuluar përmbajtje të paligjshme. Ishte hera e parë që u kërkua publikisht ndërtimi i një mekanizmi që, në praktikë, hap derën për survejim të gjerë të komunikimeve private.
Debati shpërtheu menjëherë. Ekspertë të teknologjisë, organizata të të drejtave të njeriut dhe madje edhe figura brenda institucioneve europiane paralajmëruan se një mjet i tillë është jashtëzakonisht i rrezikshëm. Sepse nëse mesazhet tona, të çdokujt, mund të skanohen nga një algoritëm, atëherë bie parimi bazë i komunikimit privat dhe i enkriptimit. Dhe kur bie ky parim, hapet një precedent që vështirë se ndalet.
Ditët e fundit, shtetet anëtare të BE kanë rënë dakord për ndryshimet e fundit të rregullores. Pika më e diskutuar, skanimi i detyrueshëm i mesazheve private, është hequr. Por rreziku nuk është zhdukur. Kompanive u lejohet ende të kryejnë skanim masiv vullnetar dhe përjashtimi që u jep këtë të drejtë do të zgjatet përtej vitit 2026. Në praktikë, kjo do të thotë se teknologjia e mbikëqyrjes mbetet aty, funksionale dhe mund të zgjerohet me vendim politik në çdo moment.




