Një ngjarje shqetësuese ka tronditur qytetin e vogël Zeithain, në landin e Saksonisë në Gjermani, ku një 16-vjeçar është ndaluar nga policia nën dyshimin se kishte ndërtuar një laborator armësh biologjike në papafingon e shtëpisë së prindërve të tij.
Sipas Prokurorisë së Dresdenit, i riu dyshohet se ka prodhuar një përzierje jashtëzakonisht të rrezikshme të përbërë nga akonitinë dhe ricinë, kjo e fundit konsiderohet armë biologjike dhe rregullohet rreptësisht nga ligji gjerman për kontrollin e armëve të luftës.
Pas bastisjes së banesës, autoritetet kanë sekuestruar substanca toksike dhe prova të tjera që mbështesin akuzat. Zona përreth shtëpisë është izoluar menjëherë në mënyrë parandaluese për të garantuar sigurinë publike, ndërsa njësitë e specializuara po analizojnë materialet e sekuestruara.
Hetimet janë në zhvillim e sipër, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbulojnë nëse i mituri ka vepruar i vetëm apo në bashkëpunim me persona të tjerë. Rasti ka ngritur shqetësime të reja për rrezikun e radikalizimit dhe qasjes në substanca të rrezikshme nga individë të rinj në moshë.