Policia britanike ka arrestuar aktivisten suedeze Greta Thunberg të martën në Londër, gjatë një proteste pro-palestineze. Lajmi u konfirmua nga grupi i fushatës me bazë në Mbretërinë e Bashkuar Prisoners for Palestine.
Thunberg u arrestua sipas Aktit të Terrorizmit për mbajtjen e një pankarte ku shkruhej: “Unë mbështes të burgosurit e Palestine Action. Unë kundërshtoj gjenocidin”. Qeveria britanike e ka shpallur Palestine Action si grup terrorist, shkruan Reuters.
Një zëdhënës i City of London tha se dy persona të tjerë ishin arrestuar për hedhjen e bojës së kuqe mbi një ndërtesë. Zëdhënësi tha se një grua 22-vjeçare më vonë shkoi në vendngjarje dhe u arrestua për shfaqjen e një pankarte në mbështetje të një organizate të shpallur të ndaluar.
Prisoners for Palestine, që mbështet disa aktivistë të ndaluar të cilët kanë hyrë në grevë urie, tha se ndërtesa ishte shënjestruar sepse përdorej nga një kompani sigurimesh që, sipas tyre, ofronte shërbime për degën britanike të firmës izraelite të mbrojtjes Elbit Systems.
Kompania e sigurimeve nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Thunberg, 22 vjeç, u bë e njohur pas organizimit të protestave javore për klimën përpara parlamentit suedez në vitin 2018.
Vitin e kaluar, ajo u shpall e pafajshme për një shkelje të rendit publik në Britani, pasi një gjykatës vendosi se policia nuk kishte të drejtë ta arrestonte atë dhe të tjerët në një protestë në Londër një vit më parë.
Ajo u ndalua së bashku me 478 persona dhe u dëbua nga Izraeli në tetor, pasi iu bashkua një kortezhi aktivistësh me anije, Global Sumud Flotilla, që tentoi të arrinte në Gaza me ndihma. Izraeli ka mohuar vazhdimisht akuzat për gjenocid.




