Skuadra të ndryshme të forcave speciale do të mbërrijnë së shpejti në Katar për të vendosur rregull në vend teksa organizohet Botërori i futbollit. Turneu më i rëndësishëm i këtij sporti nis pas dy javësh dhe shteti i vogël në Gjirin Persik pret që të ketë rreth 1,2 milionë vizitorë përgjatë një muaji.
E për të siguruar që tifozët kokëkrisur të skuadrave të ndryshme nuk do të shkatërrojnë gjithçka, autoritetet kanë pajtuar efektivë nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Turqia, Koreja e Jugut, Franca, Italia dhe Pakistani. Këta trupa do të vendosen rreth stadiumeve në Doha dhe hoteleve ku do të qëndrojnë 32 skuadrat pjesëmarrëse në turne.
Mes efektivëve më të ashpër renditet pa dyshim ata të skuadrës së operacioneve speciale turke, apo ata të policisë franceze. Ndërsa policët turq përballen zakonisht me ekstremistë dhe terroristë në vendin e tyre, policët francezë kanë treguar “dorën e hekurt” gjatë përballjeve të ashpra me protestuesit “jelekverdhë”.
Përveç se 3000 efektivë, Turqia i ka ofruar Katarit edhe një anije luftarake që do të qëndrojë aty pranë për të përforcuar sigurinë. Shumë më të paktë në numër do të jenë policët francezë, vetëm 191 vetë, por mes tyre do të ketë ekspertë për pikasjen dhe çaktivizimin e bombave dhe trupa të specializuar për të luftuar huliganët. Ministria e Jashtme franceze ka deklaruar se vendimi për të dërguar efektivë në Katar është marrë pas kërkesës së vetë autoriteteve lokale atje.
Qeveria e Pakistanit miratoi muajin e kaluar marrëveshjen për të lejuar zhvendosjen e trupave në Katar, por nuk ka konfirmuar ende shifra. Edhe Koreja e Jugut dhe Maroku kanë konfirmuar dërgim trupash, pa dhënë shifra konkrete. Spanja kishte menduar të dërgonte 115 efektivë, por në fund vendosi të mos e miratonte këtë propozim.
Turnetë e futbollit shpesh janë arenë e përleshjeve mes tifozëve dhe Katari, si një shtet i pamësuar me ngjarje të tilla gjigante, nuk ka përvojë në menaxhimin e numrave kaq të mëdha të njerëzve që do të shkelin territorin e vet për një hark kohor kaq të shkurtër.
Në janar, anëtarë të policisë së Katarit u takuan me efektivë të policisë së Nju-Jorkut për të shkëmbyer këshilla mbi sigurinë në aktivitete të tilla. Në korrik të këtij viti, SHBA firmosi një marrëveshje me Katarin për të ndihmuar në monitorimin e Aeroportit Ndërkombëtar “Hamad”.
Kupa e Botës nis zyrtarisht më 20 nëntor dhe përfundon me finalen e madhe më 18 dhjetor.