Policia britanike po përgatitet të lëshojë serinë e parë të gjobave për festat e mbajtura nga stafi i kryeministrit Boris Johnson gjatë masave mbyllëse të koronavirusit.
Policia Metropolitane nuk pranoi të konfirmonte raportet e shumë mediave në Britani të Madhe se gjobat do të viheshin që të martën, duke shtuar se nuk do të bëjnë “komente” rreth hetimit të saj.
Dhjetëra politikanë dhe zyrtarë janë hetuar mbi akuzat se qeveria ka shkelur rregullat që i imponoi vendit gjatë pandemisë.
Policia Metropolitane e Londrës dërgoi pyetësorë për më shumë se 100 persona, përfshirë kryeministrin, dhe intervistoi dëshmitarët si pjesë e hetimit.
Skandali “partygate” shkaktoi pasiguri në mandatin e Johnson-it përpara se Rusia të niste luftën e saj në Ukrainë më shumë se një muaj më parë, që u dha politikanëve britanikë prioritete më urgjente.
Kontrolli i udhëheqjes së Johnson-it mbi pushtetin u trondit nga zemërimi i publikut pas zbulimeve se stafi i tij organizoi festa në zyrë, festime të ditëlindjeve dhe tubime të tjera në vitet 2020 dhe 2021 ndërsa miliona njerëz në Britani u ndaluan të takohen me miqtë dhe familjarët e tyre për shkak të kufizimeve të qeverisë për COVID-19.
Johnson ka mohuar çdo shkelje, por ai dyshohet se ka qenë në disa nga dhjetëra ngjarjet në zyrën e tij në “Downing St” (Kryeministria) dhe ndërtesa të tjera qeveritare që po hetohen nga policia.
Kundërshtarët dhe disa anëtarë të Partisë Konservatore në pushtet, ka thënë se Johnson duhet të japë dorëheqjen nëse i shqiptohet ndonjë gjobë për shkelje të rregullave.