Policia e Shtetit dhe SPAK kanë zhvilluar një operacion në Tiranë, Shkodër dhe Kukës, në kuadër të të cilit ka vënë në pranga shtetasin Oltion Bistri, ish-shef i forcave operacionale, i larguar nga kjo detyrë para pak ditësh.
Sipas burimeve, në prangat e Policisë së Shtetit ka rënë edhe drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita, si dhe Astmer Bilali, pjesë e bandës së Bajrave. Po ashtu, është arrestuar edhe Ardit Hasanbega, ish-punonjës policie.
Mësohet se, urdhërarrestet e SPAK janë lëshuar për akuzat e “korrupsionit”, “shpërdorimit të detyrës” dhe “grupit të strukturuar kriminal”.
Ministri Balla përshëndet aksionin e SPAK dhe Policisë së Shtetit:
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka përshëndetur operacionin organizuar gjatë mbrëmjes së djeshme të Policisë së Shtetit, ku u arrestuan eksponentë të krimit të organizuar, zyrtarë të Policisë së Shtetit si edhe prokurorë të implikuar me krimin.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook Balla deklaron se ky operacion domethënës është një pasqyrë e qartë e vullnetit të agjencive tona ligjzbatuese për ta goditur krimin në të gjithë spektrin e tij dhe për ta çuar në një nivel tjetër zotërimin e shtetit në funksion të rendit ligjor në Republikën e Shqipërisë.
Gjithashtu, Balla ka përgëzuar drejtuesit dhe pjesëmarrësit e uniformave blu në këtë operacion, për profesionalizmin e lartë dhe mbi të gjitha për sigurinë e plotë të informacionit sensitiv deri në finalizimin e operacionit.
“Gjatë gjithë natës së sotme Policia Shtetit ka finalizuar një operacion kompleks të goditjes së krimit të organizuar, rezultat konkret i bashkëpunimit të ngushtë me Prokurorinë e Posaçme, të cilën e falënderoj për bashkëpunimin dhe besimin. Në rrjetën e këtij bashkëpunimi kanë rënë eksponentë të krimit të organizuar, zyrtarë të Policisë së Shtetit, si edhe prokurorë të implikuar me krimin.
Ky operacion domethënës është një pasqyrë e qartë e vullnetit të agjencive tona ligjzbatuese për ta goditur krimin në të gjithë spektrin e tij dhe për ta çuar në një nivel tjetër zotërimin e shtetit në funksion të rendit ligjor në Republikën e Shqipërisë.
Përgëzoj drejtuesit dhe pjesëmarrësit e uniformave blu në këtë operacion, për profesionalizmin e lartë dhe mbi të gjitha për sigurinë e plotë të informacionit sensitiv deri në finalizimin e operacionit.
Gjithashtu shpreh besimin e plotë se forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit përballë dhe brenda vetë organizmit të shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit. Faleminderit të gjithëve dhe vetëm përpara!”Postimi i Taulant Ballës