Një gjykatës i Gjykatës së Qarkut në Shtetet e Bashkuara e ka urdhëruar të premten Policinë e Denverit që ta ndërpresë përdorimin e gazit lotsjellës, plumbave të gomës dhe formave dhe mjeteve të tjera të forcës kundër protestuesve në qytet.
Vendim i përkohshëm është përgjigje ndaj një padie të bërë të enjten në Gjykatën e Qarkut nga protestuesit, të cilët u ankuan për ushtrim të tepërt të forcës nga policia gjatë protestave që po mbahen për vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd.
Tyrone Campbell, zëdhënës i Policisë së Denverit, tha se forcat e sigurisë do ta respektojnë urdhrin e gjykatës, shkruan “Reuters”.
Vdekja e George Floyd-it në duart e policisë në Minneapolis muajin e kaluar ka nxitur protesta të shumta në shumë pjesë të Shteteve të Bashkuara.
Në një video të publikuar në internet, ai shihet i shtrirë në tokë përderisa një polic ia shtyp qafën me gju për më shumë se tetë minuta para se ta humbte vetëdijen.
Protestat i kanë kapluar Shtetet e Bashkuara në një kohë mjaft të vështirë, kur vendi po përballet edhe me koronavirusin. ShBA-ja ka më së shumti persona të vdekur dhe të infektuar me Covid-19 në botë.