Autoritetet në Haiti thanë se në operacionin për vrasjen e presidentit Jovenel Moise mori pjesë një njësi e armatosur rëndë, e përbërë nga 26 kolumbianë dhe dy amerikano-haitianë. Policia po e vazhdon kërkimin e organizuesve të vrasjes.
Moise u qëllua për vdekje në orët e para të së mërkurës në rezidencën e tij. Zyrtarët thonë se ai u vra nga një grup i vrasësve të huaj që ishin të trajnuar. Vrasja e presidentit e ka futur shtetin e varfër të Amerikës së Mesme në trazira dhe përçarje edhe më të thella, ndonëse gjendja nuk ishte aspak mirë as më herët.
Policia gjeti sulmues të dyshuar në një shtëpi afër vendit të krimit dhe katër persona mbetën të vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit mes forcave të sigurisë dhe të dyshuarve. Autoritetet arritën gjithashtu që të arrestojnë disa të dyshuar.
“Të huajt erdhën në vendin tonë që ta vrasin presidentin tonë. Ishin 26 kolumbianë, të identifikuar përmes pasaportave të tyre, gjithashtu edhe dy amerikano-haitianë”, tha komandanti i policisë së Haitit, Charles Leoon.
Ai njoftoi se policia ka kapur 15 kolumbianë dhe dy amerikano-haitianët. Tre nga sulmuesit e dyshuar u vranë, ndërsa tetë janë ende në arrati, shkruan The Guardian.
Njëmbëdhjetë të dyshuar u arrestuan pasi hynë me forcë në ambasadën e Tajvanit, e cila ndodhet afër rezidencës ku u vra presidenti i Haitit, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme të Tajvanit.