Policia e Kosovës njoftoi të shtunën se i ka shtuar masat e sigurisë një ditë para ndeshjes kualifikuese për Euro 2024 mes Kosovës dhe Izraelit, duke ndaluar materialet me përmbajtje fetare dhe politike përreth dhe pranë stadiumit në Prishtinë.
Ndeshja në stadiumin Fadil Vokrri në kryeqytet është e para për ekipin kombëtar të Izraelit prej se nisi lufta mes Izraelit dhe grupit palestinez Hamas, i cili është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, më 7 tetor.
Ndeshja ishte paparë të luhej më 15 tetor, por u shty për 12 nëntor pasi militantët e grupit radikal i sulmuan qytetet e Izraelit jugor, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke i rrëmbyer mbi 240 të tjerë. Ky sulm nxiti luftë dhe bombardime të pareshtura hakmarrëse të Izraelit në Rripin e Gazës.
Në një njoftim të shtunën, Policia e Kosovës tha se do ta shtojë sigurinë e përgjithshme para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes tw dielën.
Stadiumi Fadil Vokrri zë rreth 14.000 tifozë.
Policia tha se do ta bëjë kontrollimin e turmave të mundshme para, gjatë dhe pas ndeshjes jo vetëm pranë stadiumit, por në gjithë qytetin, përfshirë në sheshet e tij.
Rrugët që çojnë drejt stadiumit do të jenë të mbyllura gjatë ditës së ndeshjes, po ashtu.
Ajo njoftoi se do të ndalohet “çdo material promovues racist, ksenofobik, politik, fetar.”
Shtimi i sigurisë vjen pasi një grup pro-palestinez kishte kërkuar leje nga Policia për protestë paqësore në ditën e ndeshjes, e cila u hodh poshtë për shkaqe sigurie.
Sipas ligjit kosovar, Policia mund ta ndalojë mbajtjen e një tubimi publik nëse qëllimi i tubimit është nxitja apo thirrja për përdorim të dhunës, urrejtjes racore, kombëtare, etnike apo fetare.
Numri i palestinezëve të vrarë në Rripin e Gazës e ka tejkaluar tashmë shifrën 10.000, sipas Ministrisë së Shëndetësisë atje.
Ngjarjet e tilla kanë shkaktuar protesta në vende të ndryshme në botë, përfshirë edhe Kosovën. Deri më tani janë zhvilluar dy protesta në përkrahje të palestinezëve në Prishtinë dhe një tjetër në Prizren.