Policia e Kosovës ka bërë një përmbledhje të ngjarjes së ditës së sotme në komunat e veriut duke bërë të ditur se situata është qetësuar.
Përmes një njoftimi për mediat, policia e Kosovës thekson se sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese ka ndihmuar kryetarët e komunave veriore në Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare komunale.
“Qëllimi primar i Policisë së Kosovës ka qenë asistimi dhe ofrimi i sigurisë ndaj kryetarëve të komunave, mundësimi i realizmit të drejtave të tyre legjitime në vendin e punës dhe siguria e lëvizjes së lirë të të gjithë personave pa dallim”, thuhet në njoftimin për mediat.
Sipas policisë, një numër i konsiderueshëm i qytetarëve serbë ishin mbledhur pranë komunave me qëllim që të pengonin dhe të mos lejonin hyrjen e zyrtarëve në komuna.
Policia e Kosovës shpjegon se duke njohur të drejtën e qytetarëve për të protestuar e shprehur pakënaqësitë e tyre në formë të drejtë, paqësore e të ligjshme, ka komunikuar disa herë me të njëjtit dhe ka kërkuar lirimin e hyrjes në objekte, lejimin e hyrjes së kryetarëve në vendet e punës, e të mos cenojnë të drejtat legjitime të tyre.
“Kërkesat e ligjshme të zyrtarëve policorë nuk janë përfillur, persona të caktuar brenda turmës në Zveqan kanë shfaqur dhunë, kanë hedhur mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare.
Me qëllim të parandalimit të rrezikut të drejtpërdrejtë të hfaqur ndaj jetës së zyrtarëve policorë, njësitet policore relevante në vetëmbrojtje ishin detyruar të reagojnë me mjetet e tyre të ligjshme, përfshirë gazin lotsjellës për shpërndarje të turmës, dhe për t’ua mundësuar hyrjen kryetarëve në objekte komunale”, shpjegon më tej, policia e Kosovës.
Si pasojë e sulmeve pesë efektivë policie janë plagosur, ndërsa janë dëmtuar katër automjete zyrtare, ku njërës prej tyre iu vendos zjarri, janë dëmtuar disa makina të civilëve, përfshirë të gazetarëve, si dhe tri automjete të EULEX-it.
Sipas Policisë individë apo grupe të caktuara kriminale, përveç sulmeve ndaj zyrtarëve dhe mjeteve, kanë tentuar të bllokojnë rrugë të ndryshme me zhavorr, gurë dhe mjete të rënda transportuese.
Policia e Kosovës shton se për të siguruar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, ka marrë masa për largimin e tyre dhe pastrimin e rrugëve në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente.
Gjithashtu, bëhet e ditur se janë larguar mjetet transportuese dhe tashmë rrugët janë të lira për qarkullim, ndërsa konstatohet se aktualisht situata në veri të vendit është e qetë.