Policia e Shtetit ka hedhur poshtë pretendimet, e publikuara sipas saj në media, se sistemi TIMS ka dalë jashtë funksionit një natë më parë për shkak të një sulmi kibernetik.
“Ndaj sistemit TIMS, mbrëmjen e djeshme, nuk ka ndodhur sulm kibernetik, por në kuadrin e përmirësimit dhe rritjes së performancës së sistemit TIMS, mbrëmjen e djeshme u realizuan disa procese të parashikuara mirëmbajtjeje, të cilat ndërprenë shërbimin në interval të shkurtër kohor, në disa prej pikave kufitare, por pa sjellë pengesa në lëvizjen e lirë të qytetarëve. Konfirmojmë se pas ndërhyrjes së shkurtër, mbrëmjen e djeshme, sistemi TIMS vijon të jetë funksional, në të gjitha pikat kufitare”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Gjithashtu, njoftohet se do të ketë ndërprerje me afat të shkurtër kohor edhe në ditët në vijim, në pika të ndryshme kufitare, për shkak të ndërhyrjeve të brendshme, me qëllim përmirësimin e performancës së sistemit TIMS.
Për rreth një orë e gjysmë, në pikat kufitare të vendit është punuar manualisht, pas rënies së daljes jashtë funksionit të sistemit TIMS. Pak para orës 23:00 të ditës së martë, sistemi u rikthye dhe puna vijoi normalisht në këto pika.
Më 15 korrik, sulmi kibernetik ndaj sistemit TIMS për disa kohë paralizoi punën në pjesën më të madhe të pikave të kalimit kufitar. Raporti i publikuar nga FBI lidhur me sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë, tregoi dhe mekanizmin se si hakerat sulmuan sistemin TIMS të policisë. Microsoft pati njoftuar kontraktorët e saj se, me anë të një gabimi në programimin e Windows-it, mund të merrje akses nëpërmjet rrjetit. Kompania publikoi një zgjidhje diku nga korriku i vitit 2021, por sipas ekspertëve IT, kjo nuk është aplikuar.