Policia e Tiranës dha detaje lidhur me operacionin e zhvilluar në zonën e “5 Majit” në kryeqytet. Ende nuk dihet se çfarë shtyu personat që të hidhnin fishekët apo dhe dylbitë optike në një zonë me shkurre, në afërsi të një blloku pallatesh në rrugën “Besim Fagu”.
Blutë nuk përjashtojnë mundësitë se pas arrestimeve të fundit në Durrës mund të kemi të bëjmë me furnitorët e armëve të zjarrit, pasi deri në këto momente asnjë person nuk është arrestuar.
Në total, policia gjeti 73 fishekë luftarak të kalibrit të madh, rreth 150 krehëra, 92 pjesë shuli si ato të armës së zjarrit, pjesë armësh automatike, 1 tytë mitralozi dhe 2 pajisje optike. Hetuesit gjetën dhe 4 targa, nga të cilat 2 ishin angleze, 1 targë italiane dhe 1 targë plastike shqiptare.
Armët dhe municionet luftarake janë dërguar për ekzaminim në laboratorin e policisë shkencore për të zbuluar më shumë për to. Në harkun kohor të dy viteve, në Tiranë janë gjetur një numër i konsiderueshëm bazash të armatimeve.
Më e madhja u zbulua në prill 2021 në disa magazina të braktisura në rrugën “Xhanfize Keko”, ndërsa më vonë gjatë vitit 2022 armatime dhe municione u gjetën edhe në zona të tjera, si në Kodër-Mëzez, Yzberisht, por edhe tek Liqeni i Thatë.