Policia malazeze bllokon Tuzin

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Policia malazeze ka bllokuar hyrjet për në Tuz, me arsyetimin se ka marrë aksion për të mbyllur lokalet e gastronomisë, që janë hapur sot me vendim të kryetarit të komunës, Nik Gjeloshaj.

Qeveria e Malit të Zi ka marrë masa për ndalimin e përhapjes së COVID-19, e ndër to edhe për mbylljen e lokaleve të gastronomisë.

“Vijesti.ma” shkruan se kamionë të shumtë që për destinacion kanë Shqipërinë, janë urdhëruar të parkohen skaj rrugës magjistrale pa u futur në Tuz.

Aksioni është marrë me urdhër të Prokurorisë Themelore të Shtetit, ndërkohë që sipas mediave, disa pronarë të lokaleve janë marrë në pyetje.

Kryetari i Tuzit, Nik Gjeloshaj, ka thënë se e gjithë kjo ka prapavijë politike dhe ka ftuar kryeministrin Zdravko Krivokapiq apo zv.kryeministrin Dritan Abazoviq të vizitojnë qytetin shqiptar në Mal të Zi.

“Është një hakmarrje e Qeverisë për shkak të shfaqjes së flamurit të Kosovës dhe Shqipërisë në objektin e Komunës së Tuzit”, ka thënë Gjeloshaj.

Shumë qytetarë janë mbledhur në qendër të Tuzit, e që bashkë me praninë e forcave policore kanë krijuar atmosferë të tensionuar.

Ndërkohë, partia shqiptare Forca e Re Demokratike i ka dhënë përkrahje kryetarit të komunës, Gjeloshaj.

“Fatkeqësisht Qeveria me vendimin e saj kas treguar pafuqi për të gjetur një zgjidhje që nuk do t’i viktimizonte shqiptarët ose nuk do të hakmerrej ndaj tyre. Ndërkohë, udhëheqësia e Tuzit ka treguar kompetencë me vendimin e saj në mbrojtje të qytetarëve. Ftojmë kryeministrin ose zv,kryeministrin e Malit të Zi t’i përgjigjet ftesës së kryetarit të Tuzit, Nik Gjeloshaj”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Zv.kryeministri Abazoviq, sipas “Vijesti.ma”, është shprehur i gatshëm të bisedojë me Gjeloshajn për këtë çështje, siç ka thënë “brenda sistemit shtetëror”.

Image
Share This Article