Sipas një raportimi të gazetës “The Sun”, persona të panjohur kanë hakuar kompaninë që prodhon kartat e personelit të punonjësve të Policisë Metropolitane të Londrës.
Policia Metropolitane e Londrës, po heton mundësinë që emrat, fotografitë, gradat dhe titujt e shërbimit të 47.000 oficerëve të policisë, mund të jenë vjedhur si rezultat i një sulmi kibernetik ndaj krijuesit të kartave të stafit.
Sipas një raportimi të gazetës “The Sun”, persona të panjohur kanë hakuar kompaninë që prodhon kartat e personelit të punonjësve të Policisë Metropolitane të Londrës.
Policia Metropolitane dhe Agjencia Kombëtare e Krimit, u alarmuan për mundësinë serioze që emrat, fotografitë, dhe gradat e 47.000 oficerëve të policisë mund të kenë rënë në duart e organizatave ose bandave terroriste.
Scotland Yard, nga ana e saj, sqaroi se hetuesit po punojnë me kompaninë për të shqyrtuar nëse kishte një boshllëk sigurie.
Sipas një përfaqësuesi të Policisë Metropolitane, nuk dihet se kur ka ndodhur sulmi kibernetik dhe as numri i punonjësve të prekur prej tij. Megjithatë, ai shtoi se kompania nuk kishte akses në të dhënat personale të punonjësve, si adresat e shtëpisë, numrat e telefonit apo informacionet financiare.
Për Federatën e Policisë Metropolitane, e cila përfaqëson më shumë se 30.000 oficerë, ky boshllëk sigurie do të shkaktojë “shqetësim dhe zemërim të jashtëzakonshëm” midis oficerëve.
“Kjo është një shkelje e jashtëzakonshme e sigurisë, që nuk duhet të kishte ndodhur kurrë”, tha Rick Pryor, nënkryetar i Federatës.
Njoftimi vjen disa javë pasi forca policore e Irlandës së Veriut pranoi se kishte publikuar gabimisht detajet e pothuajse të gjithë stafit të saj, rreth 10.000 oficerë dhe personel tjetër, duke përfshirë mbiemrin dhe inicialet e tyre, gradën e tyre apo edhe njësinë në të cilën ata punojnë.
Policia e Norfolk dhe Suffolk pranoi pak më vonë se kishte nxjerrë gabimisht informacione për më shumë se 1200 njerëz, duke përfshirë viktima dhe dëshmitarë të krimeve.