Lista Serbe dhe mediat pro-qeveritare në Serbi, të shtunën mbrëma raportuan për gjoja rrahjen e dy të rinjve serbë nga Policia e Kosovës.
Madje, mediat thanë se dy të rinjtë janë dëguar në spital me lëndime.
Mirëpo, Policia me anë të një komunikate i ka demantuar këto pretendime, duke i quajtur të pavërteta.
Në njoftim thuhet se derisa njësitë patrulluese ishin në detyrë zyrtare në rrugën Izvor-Banjska, kanë hasur duke qarkulluar dy mjete (motorë) katër rrotësh me të cilët kanë qenë pesë persona.
Ata i janë shmangur sinjalizimit policor për t’u ndalur dhe kanë ikur në drejtime të ndryshme.
Policia thotë se është vënë në ndjekje të tyre dhe kanë hasur në njërin motor me 2 persona në të, ndërsa personin e tretë e kanë zënë duke ikur.
“Pas kontrollimit të personave dhe të mjetit (motorit), si dhe pas realizimit të procedurave policore, të tre personat janë liruar. Vlen të potencohet se veprimet policore janë realizuar konform procedurave të parapara ligjore dhe në asnjë rast nuk ka pasur ndonjë sjellje jo profesionale policore. Deklarimet e ndryshme se kinse policia i ka rrahur dy prej këtyre personave nuk qëndrojnë dhe janë të pavërteta”, ka theksuar policia në njoftimin, të cilin të plotë mund ta lexoni më poshtë.
Sot, me datën 17.06.2023, në orët e pasditës, njësitë patrulluese të cilat ishin në detyrë zyrtare në rrugën Izvor-Banjska, kanë hasur duke qarkulluar dy mjete (motorë) katër rrotësh me të cilët kanë qenë pesë persona.
Njëri motor me dy persona ka vazhduar duke u shmangur sinjalizimit policor për tu ndalur dhe ka ikur në një rrugë mali, kurse tjetri ka vazhduar shmangien në drejtim tjetër në një teren të pa përshtatshëm, por zyrtarët policorë janë vënë në përcjellje këmbë, pasi që ka qenë tereni i pa përshtatshëm për të ikur larg, dhe diku rreth 150 metra nga rruga kryesore kanë hasur motorin në fjalë dhe dy personat.
Kurse në një distancë prej rreth 350 metra, zyrtarët tjerë policorë kanë hasur personin e tretë, i cili kishte ikur në këmbë. Në atë lokacion është paraqitur edhe një femër, e cila ka deklaruar se është nëna e dy personave të ndaluar nga policia.
Pas kontrollimit të personave dhe të mjetit (motorit), si dhe pas realizimit të procedurave policore, të tre personat janë liruar.
Vlen të potencohet se veprimet policore janë realizuar konform procedurave të parapara ligjore dhe në asnjë rast nuk ka pasur ndonjë sjellje jo profesionale policore. Deklarimet e ndryshme se kinse policia i ka rrahur dy prej këtyre personave nuk qëndrojnë dhe janë të pavërteta.
Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare trajton çdo ankesë të mundshme, që adresohet ndaj PK-së dhe po ashtu njofton Inspektoratin Policor (IPK).
Policia e Kosovës, do të vazhdojë të mbajë të informuar opinionin me informata zyrtare dhe njëkohësisht fton mediat për bashkëpunim të mëtejmë.