Politikanët nga Australia dhe Britania e Madhe, nga të gjitha prirjet politike, i kanë kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA Merrick Garland që t’i japë fund të gjitha përpjekjeve për ekstradimin e themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange.
Në një letër të hapur, 48 parlamentarë australianë pjesë e qeverisë dhe opozitës thanë se ekstradimi do të përbënte një “precedent të rrezikshëm” për lirinë e shtypit dhe do të ishte “pa nevojë i dëmshëm” për Shtetet e Bashkuara si një lider botëror në lirinë e shprehjes.
“Nëse kërkesa për ekstradim miratohet, australianët do të dëshmojnë deportimin e një prej shtetasve tanë nga një partner i AUKUS në tjetrin dhe Assange do të përballet me mundësinë për të kaluar pjesën tjetër të jetës së tij në burg”, thuhet në letër. Deputetët dhe senatorët vunë në dukje se Assange ka qenë “i burgosur efektivisht” për më shumë se një dekadë, ndërsa personi që zbuloi informacionin e klasifikuar, Chelsea Manning, “ka qenë në gjendje të marrë pjesë në shoqërinë amerikane që nga viti 2017”.
“Një shumicë e qartë e australianëve mendojnë se kjo çështje ka vazhduar për një kohë të gjatë dhe duhet të mbyllet,” thuhet në letër. “Ne lutemi që të hiqni dorë nga procedurat e ekstradimit dhe të lejoni Assange që të kthehet në shtëpi.”. Babai i Assange, John Shipton, tha se burgosja e djalit të tij ishte “dëshpëruese dhe plagë” për të dhe familjen e tij.