Ministria e Jashtme e Polonisë ka thirrur në bisedë ambasadorin rus për të protestuar ndaj të një ish-zyrtari rus, i cili ka sugjeruar se do të ishte e pranueshme vrasja e ambasadorit të Polonisë në Rusi.
Pavel Astakhov, që kishte qenë avokat për të drejtat e fëmijëve nga viti 2009 deri më 2016, i bëri këto deklarata gjatë një programi televiziv të udhëhequr nga propagandisti rus, Vladimir Solovyov. Ai u intervistua pasi autoritetet polake morën nën kontroll ndërtesën e një shkolle në Varshavë të shtunën, që po përdorej nga fëmijët e diplomatëve rusë dhe nga ushtria.
Astakhov sugjeroi se vrasja e ambasadorit polak në shenjë hakmarrjeje “për veprimet jomiqësore… është brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar”, duke shtuar se “këtë ma kanë mësuar mirë në shkollën e KGB-së dhe në fakultetin e kundërzbulimit”.
Incidenti i së shtunës në Varshavë është në vazhdën e disa incidenteve që kanë rritur tensionet mes Rusisë dhe Polonisë.
Varshava është aleate e Kievit dhe e ka furnizuar me armë ushtrinë ukrainase.
Gjatë intervistën me Solovyovin, Astakhov përmendi konfiskimin pronave nga Polonia, por edhe ngrirjen e llogarive bankare të rusëve si dhe gjuajtjen me ngjyrë të kuqe të ambasadorit rus në Poloni, Sergey Andreev, nga aktivistët në Varshavë vitin e kaluar.
Astakhov tha se kur Andreev u sulmua me ngjyrë, ai priti të shihte “nëse do ta shihnin ambasadorin e Polonisë duke pluskuar në lumin Moskva?”.
Ministria e Jashtme e Polonisë tha në deklaratë se e ka thirrur në bisedë ambasadorin rus Andreeev dhe i ka dorëzuar notë proteste për deklaratat e Astakhov “që bëjnë thirrje për vrasjen e ambasadorit të Polonisë në Moskë”.
“Pala polake ka protestuar ashpër kundër kësaj situate dhe ka kërkuar që të nisen procedura penale menjëherë që keqbërësit të dalin para drejtësisë”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme polake, Lukasz Jasina./ REL