Fakti që lufta i është afruar më tepër se kurrë në kufijtë e saj lindorë, e ka bërë Poloninë që të investojë më shumë në mbrojtje.
Pasi vendosi të sigurojë kufirin e saj me Bjellorusinë, me 10.000 ushtarë shtesë, Varshava po kërkon të negociojë edhe për blerjen e të paktën 22 helikopterëve AW101, si pjesë e planeve për të modernizuar forcat e saj të armatosura.
Vendi ka kërkuar të forcojë mbrojtjen e tij për shkak të luftës në Ukrainën fqinje dhe planifikon të shpenzojë rreth 4% të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtje këtë vit.
Ministri polak i Mbrojtjes tha se ata po përpiqen të blejnë helikopterët nga PZL-Swidnik, njësia polake e grupit të mbrojtjes dhe hapësirës ajrore të kontrolluar nga shteti italian.
“Një tjetër lajm i mirë për Forcat e Sulmit Ajror. Sot dërguam një ftesë për negociata për dorëzimin e 22 helikopterëve me shumë role AW101, të cilët së shpejti do të zëvendësojnë modelet post-sovjetike”, tha Mariusz Blaszczak.
Ndërkohë, të hënën, Polonia mori helikopterin e saj të parë AW101 sipas një marrëveshjeje të nënshkruar në 2019.