Kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk ka pasur asnjë shqetësim apo presion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, por tha se ka faktorë të tjerë që nuk janë të interesuar që ai port të mos bëhet.
“Për fat të keq ka ndodhur një koincidencë e pashmangshme, që në momentin e fundit kompania që ka kaluar të gjitha fazat, dhe duhet të bënte ofertën e fundit, është tërhequr duke iu referuar krizës. Nuk kemi arsye që të shikojmë mbrapa ndonjë gjë tjetër ne vetë.
Nuk kemi të dhëna që kompania është ndodhur nën ndonjë presion. Por i gjithë procesi është zhvilluar nën presion, por jo nën presionin e SHBA siç thuhet. Sepse nuk ka pasur asnjë shqetësim të shprehur as nga SHBA, as nga askush. Por ka pasur presion të vazhdueshëm, nga faktorë të tjerë, natyrisht të painteresuar që ai port të jetë histori suksesi”, tha Rama në një konferencë për mediat.
“Që nga A-ja, kur disa thonë për çfarë duhet një port i ri, se kemi portin tonë, atë kënetën në zemër të Durrësit, dhe e lidhnin idenë e portit të ri me shitjen e Atdheut në duart e arabëve, në fakt e vërteta është që përtej injorancës që është gjithmonë faktor në mënyrën si trajtohen çështjet këtu, qysh në krye të herës ka pasur forca të interesuara që të mos ecte përpara projekti i portit të ri”, shtoi ai.
Rama shtoi se porti ekzistues i Durrësit nuk ka asnjë kapacitet për të qenë nyja strategjike dhe logjistike e Korridorit 8. “Këtë nuk e them unë, e thonë të gjitha analizat e bëra dhe të gjitha proceset e ndjekura dhe realiteti i thjeshtë, që ai port është në mes të qytetit. Porti i ri çon shqiptarët në nivel tjetër, sepse është një nyje e lidhur me portin e thatë të Prishtinës dhe të Shkupit. Këtu kemi të bëjmë edhe me një përmbajtje të rëndësishme interesash kombëtare, strategjike”, tha ai.
“Në një sërë vendesh ka forca të cilat nuk e mirëpresin këtë. Dhe kjo nuk ka lidhje me armiqësira gjeopolitike, por edhe me interesa tregtare të vendeve. Nëse mendoni që porti i ri është një port që, ata të cilët i kanë të lidhura interesat me rrugët e trafiqeve, mezi e presin, e mendoni gabim. Përkundrazi, nuk kanë asnjë arsye ta mirëpresin”.


