Portugalia ka kaluar në çerekfinale të Euro 2024, duke eliminuar Slloveninë me anë të penalltive, pasi koha e rregullt dhe shtesat nuk prodhuan gol.
Pas vetëm pesë minutash lojë, portugezët rrezikuan me anë të Ruben Dias, me gjuajtjen e tij që përfundoi afër shtyllës së djathtë.
Një rast të mirë shënimi lëshoi edhe Bruno Fernandes (13’), që nuk e arriti pasimin e Bernado Silvës për të realizuar nga afër.
Në minutën e 34-të, Cristiano Ronaldo tentoi nga gjuajtja e lirë, por vetëm shtylla horizontale shpëtoi Slloveninë.
Edhe në 45 minutat e dytë, portugezët ishin më të mirë, por që ylli i Al Nassr vazhdoi ta tepronte me goditjet e tij të paefektshme nga gjuajtjet e lira.
Në minutën e 47-të, Bernardo Silva rrezikoi, por që gjuajtja e tij brenda zonës u bllokua.
Ronaldo (55’) tentoi nga gjuajtja e lirë, por që Jan Oblak ishte në vend dhe bëri një pritje fantastike.
Benjamin Sesko e pati shansin e artë që të kalonte Slloveninë në epërsi, mirëpo nuk ia doli të gjuante saktë në portën e Portugalisë.
Portugezët intensifikuan sulmet e tyre, por sërish nuk kishte efekt, duke bërë që ndeshja të shkojë në vazhdime dhe do të luhen dy herë nga 15 minuta, ndërsa do synohet shmangia e penalltive.
Në vazhdime, portugezët mund të kishin përfunduar kualifikimin në çerekfinale, por nga penalltia e fituar e Diogo Jotas në minutën e 105-të, Ronaldo dështoi ta mposhte Oblakun që bëri një intervenim fantastik.
Në 15 minutat e dytë, Benjamin Sesko (115′) e kishte edhe njëherë rastin që të kryente ndeshjen, por dështoi të mposhte portierin e Portugalisë, duke bërë që ndeshja të shkonte në penallti
Aty, Portugalia doli të ishte më e saktë, pasi shënoi tri, për dallim nga Sllovenia që nuk realizoi asnjë.
Në çerekfinale, portugezët do të përballen me Francën që eliminoi Belgjikën.