Facebooku ka fshirë postimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ku kishte thënë se COVID-19 është më pak “vrasës” sesa gripi sezonal, raporton BBC.
Trumpi është kthyer dje në Shtëpinë e Bardhë pas tri netëve të kaluara në spital ku është trajtuar për koronavirus.
Ai ka shkruar se SHBA-ja ka “mësuar të jetojë” me grupin sezonal, “siç po mëson të jetojë edhe me Covidin, që në shumicën e popullatave është më pak vrasëse!!!”
Twitteri ka censuruar mesazhin prapa paralajmërimit për “përhapje të keqinformatave dhe informatave potencialisht të dëmshme”.
Lexuesit duhet të klikojnë te paralajmërimi për të lexuar mesazhin.
“Ne kemi larguar informatën e pasaktë për seriozitetin e COVID-19 dhe e kemi larguar tash këtë postim”, ka thënë Andy Stone, menaxher i politikave të komunikimit te Facebook.
Një shkallë e saktë e vdekshmërisë nga COVID-19 ende nuk është e njohur, por besohet se është dhjetë herë apo më e lartë, sesa shumica e gripave sezonal, sipas Universitetit John Hopkins.
Trump ka reaguar duke kërkuar anulimin e nenit 230.
Ai i është referuar ligjit që thotë se rrjetet sociale nuk janë përgjegjëse për përmbajtjen që postojnë përdoruesit e tyre.
Por lejon firmat që të angazhohen, duke larguar përmbajtjet që i gjykojnë ofensive, ngacmim apo të dhunshme.
Nëse ligji anulohet, atëherë kompanitë e rrjeteve sociale mund të përballen me padi për editim apo ndryshim në përmbajtjen e përdoruesit.