Forcat e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me njësitë operacionale të Drejtorisë së Policisë Tiranë, kanë intensifikuar kontrollet në terren duke ngritur postoblloqe përgjatë akseve kryesore rrugore në Krujë dhe Fushë-Krujë.
Këto masa synojnë parandalimin e veprimtarive kriminale, kapjen e personave të shpallur në kërkim si dhe ndalimin e individëve që qarkullojnë me armë apo lëndë narkotike. Kontrollet po zhvillohen në mënyrë të vazhdueshme dhe të befasishme, me fokus në rritjen e sigurisë publike.
Ndërkohë, drejtuesit e rinj të komisariatit kanë vendosur të rrisin monitorimin në zonat e konsideruara “të nxehta” të rrethit, të njohura për aktivitete kriminale të rënda, duke synuar goditjen e grupeve kriminale dhe parandalimin e ngjarjeve të mundshme.
Policia bën apel për bashkëpunim nga qytetarët, duke theksuar rëndësinë e denoncimit të çdo aktiviteti të paligjshëm për të garantuar rendin dhe sigurinë në zonë.


