Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaron se marrja e kryesimit të Presidencës së BE nga Gjermania është një lajm i mirë për Shqipërinë.
Sipas Bashës, dielli duket që kur lind, ndaj gjermanët kanë vendosur që në fillim të axhendës së tyre në krye të BE, procesin e integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.
Në të tilla rrethana, kryedemokrati thekson se nuk duhet humbur më kohë për të përmbushur 15 kriteret, drejtimi për të dalë nga kriza ku është futur Shqiperia është pikërisht aty.
Deklrata e Bashës: “Reforma Zgjedhore dhe zbatimi i saj përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, Ndëshkimi i personave të përfshirë në manipulimin e zgjedhjeve, bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë dhe shqyrtimi i legjitimitetit të procesit të 30 qershorit 2019, Lufta kundër Korrupsionit, Krimit të Organizuar dhe Trafiqeve, Ligji i Medias që cënon lirinë e shprehjes, masat për uljen e numrit të azilkërkuesve, janë disa nga hapat që duhet të ndjekë vendi ynë për të mundësuar bashkimin me familjen europiane.
E di, kurrë nuk kemi patur kritere kaq të forta në rrugëtimin tonë! Kjo sepse vendi nuk ka qenë kurrë në një krizë kaq të thellë e të gjithanshme. Ndaj vullneti politik për t’i zhbërë këto pengesa duhet të prevalojë mbi etjen dhe lakminë për gjithëpushtetshmëri. E nesërmja e Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk kanë pse të jenë peng i të sotmes, aq më tepër kur kemi vullnetin e miqve tanë për të na mundësuar tejkalimin sa më shpejt të kësaj faze të errët për vendin tonë.
Shqipëria do t’ia dalë! Shqiptarët meritojnë dhe do të kenë ditë më të mira!Urimet më të përzemërta Gjermanisë dhe kancelares Merkel në kryesimin e Bashkimit Europian, urime miqve dhe partnerëve të Shqipërisë në Bundestag dhe në të gjitha institucionet e tjera të Gjermanisë mike dhe të BE”.
Gjermania të mërkurën nisi kryesimin e Këshillit Europian për gjashtë muajt e radhës, duke pasuar Kroacinë për t’u fokusuar në sfidat e momentit si pandemia dhe rindërtimi i ekonomisë, por edhe projektet e zgjerimit dhe të afrimit të Shqipërisë në familjen europiane.
Programi “Së bashku për rimëkëmbjen e Europës” i publikuar nga Berlini detajon axhendën të cilën Gjermania synon të trajtojë në këtë periudhë së bashku me krerët e qeverive të BE-së.
Ndërsa në planet fillestare fokusi ishte vënë te siguria e kufijve europianë, te raportet me Kinën dhe te ndryshimet klimatike, pandemia e koronavirusit do të jetë sivjet në plan të parë.
Për Tiranën dhe Shkupin, Gjermania sikundër Kroacia para saj angazhohet t’i kushtojë vëmendje të veçantë negociatave në gjashtëmujorin e dytë të vitit.
Nga 1 janari i vitit 2021, presidenca e Këshillit Europian do i takojë Portugalisë.