Presidenti austriak i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare që të zbatojë reformat kyçe të procesit të integrimit dhe të heqë dorë nga pasaportat e arta. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun shqiptar Bajrma Begaj, kreu i shtetit austriak theksoi se kjo cenon procesin e reformave.
“Ecuri shumë të mira për procesin screeening me BE-së dhe shpresoj të hidhen hapa të mëtejshëm sa më shpejt. Sipas metodologjisë së re, fokusi është te çështjet esenciale si; shteti i së drejtës, të drejtat themelore dhe drejtësia e pavarur dhe në këtë kuadër inkurajojmë Shqipërinë për të zhvilluar reformat në këta sektorë. Kjo do të thotë të hiqet dorë nga një ide që është në diskutim, nëse do të cenonte besueshmërinë e procesit të reformave, siç është deklaruar nga qeveria shqiptare për pasaportat e arta. Austria do të jetë mbështetëse e anëtarësimit dhe kjo do të mbetet kështu”.
Thellimi i bashkëpunimit është në fokus të vizitës së presidenti austriak Alexander Van der Bellen në Shqipëri. Kreu i shtetit austriak njoftoi hapjen e forumit ekonomik sot në vendin tonë. Sipas tij, pika kryesore është zhvillimi i bashkëpunimit në energji.
“Mbi 50 biznese austriake operojnë në Shqipëri dhe jam i nderuar që sot pasdite do të hapim forumin ekonomik, ku pika kryesore është zhvillimi i bashkëpunimit në energjinë e rinovueshme dhe infrastruktura miqësore ndaj mjedisit. Ftesës sime i janë bashkuar 20 biznese nga Austria dhe jemi këtu për të dhënë ekspertizën tonë në interes të përbashkët”, tha Van der Bellen.
Ai tha se Austria mbështet reformën në drejtësi dhe bashkëpunimin në fushën e arsimit.
“Agjencia austriake për zhvillim është aktive në Shqipëri dhe është mbështetës kryesor në reformën në drejtësi. Dy ministrat e Drejtësisë po nënshkruajnë një deklaratë bashkëpunimi, bashkëpunimin në arsim. Vizitova shkollën austriake në Shkodër dhe gëzon reputacion shumë të mirë. Është një pikë e fortë për informatikën e shkencat e komunikimit. Forcon ofertën për punonjës të kualifikuar”.