Presidenti i Republikës ka njoftuar dekretimin e rektorëve të përfshirë në skandale plagjiature, siç është rasti i Artan Hoxhës, duke shpërdoruar detyrën në bashkëpunim me Ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu.
Kjo e fundit është e njohur publikisht për doktoraturën e saj të kapur me plagjiaturë. Pavarësisht ankesave të bëra në të gjitha institucionet përkatëse, Komisioni Qendror i Universitetit ka kthyer një përgjigje formale, pa emra dhe vetëm me vulë, duke përforcuar shkeljet ligjore.
Po z. Begaj, a ka një karrierë të ndërtuar mbi plagjiaturën? Zoti Begaj, i cili është mjek në profesion, ka marrë titullin profesor i asociuar, për të cilin nevojiteshin publikime me faktor impakti. Megjithatë, kërkimet tregojnë se jo vetëm që nuk ka publikime të tilla, por edhe një nga artikujt e tij, “Assessment and Management of Gastrointestinal Disorders during Pregnancy”, i publikuar në Advances in Life Science and Technology
(https://www.iiste.org/Journals/index.php/ALST/article/view/17044), është 100% i kopjuar nga materialet e leksioneve të Shoqatës së Mjekësisë Obstetrike të Amerikës së Veriut (https://web.archive.org/web/20050310042337/http://www.obmed.org/pdfs/gastro.pdf). Madje, Presidenti vendos të dhënat për SHBA si të dhëna për vendin tonë.
Tashmë presidenti i shtohet listës së gjatë të shumë figurave politike që kanë ndërtuar karrierën akademike mbi vjedhjen e pronës intelektuale. Këto fakte tregojnë qartë se si pseudointelektualët jo vetëm që kanë penguar zhvillimin e elitave shqiptare dhe avancimin e universiteteve, por vazhdojnë të mbajnë gjallë hipokrizinë e vlerësimit të ndërsjelltë mes tyresh duke shkelur ligjet shqiptare. Shqipëria sot renditet e fundit në rajon dhe Evropë për nivelin e arsimit dhe shkencës, si dhe për largimin masiv të trurit. Kapja e institucioneve nga plagjiatura jo vetëm që nuk ndihmon në zgjidhjen e problemit, por e përkeqëson edhe më shumë situatën.