Presidenti Bajram Begaj ka pritur gazetarët me rastin e festave të funditvitit. Ai i ka vlerësuar ata për punën e tyre në raportimin e ngjarjeve të përditshme.
Begaj tha se profesioni i gazetarit bart një përgjegjësi më të madhe se sa ai i mjekut.
Sipas kreut të shtetit, nëse mjekët përgjegjësinë e kanë me individin, gazetarët e kanë me interesin publik.
“E konsideroj si takim festiv, meqenëse jemi në prag të mbylljes së vitit, por më shumë se sa një takim festiv, është një mirënjohje, një mirënjohje për çfare ju bëni përgjatë gjithë vitit.
Në fakt, si çdo vit tjetër, ka qenë i pasur me ngjarje, nga ngjarjet rutinë, deri te ngjarjet dinamike, politike, që më mirë se ju, askush tjetër nuk i raporton.
Gjithmonë kam menduar se profesioni i mjekut është profesioni më i bukur në botë. Në fakt, jam gabuar, sepse, siç e thotë edhe shkrimtari i njohur kolumbian, Gabriel Garcia Márquez, “Gazetaria është profesioni më i bukur në botë”, sepse është një profesion i vështirë, me shumë sfida, por që ka një përgjegjësi shumë më të madhe se mjekët: mjekët përgjegjësinë e kanë me individin, ndërsa ju përgjegjësinë e keni me interesin publik. Dhe ju keni qenë prezent kudo për të raportuar, për të informuar. Keni qenë në rrugë, keni qenë në institucione, kohë pa kohë, duke u përkushtuar dhe duke u angazhuar gjithmonë.
Sot është dita për t’ju falënderuar për përkushtimin, për kontributin, dhe besoj se përgjegjësia e informimit për të vërtetën është ajo çfarë juve ju bën krenarë.
Shumë faleminderit për punën dhe misionin tuaj!
Në fund, dua ta mbyll, meqenëse jemi në prag të festave, duke uruar për secilin nga ju, për familjet tuaja, gëzuar festat, një vit sa më të mbarë e sa më të suksesshëm për ju dhe për të gjithë shqiptarët!”, theksoi Begaj në fjalën e tij.








