Presidenti Joe Biden është pyetur në kuadër të një hetimi mbi dokumentet sekrete që iu gjetën në shtëpi, njoftoi të hënën vonë Shtëpia e Bardhë. Dokumentet sekrete u gjetën në shtëpinë e tij në Dellauer dhe në një zyrë private, që përdorte zoti Biden pas largimit nga posti i nënpresidentit.
Zëdhënësi Ian Sams tha përmes një deklarate se Presidenti kishte rënë dakord për t’u intervistuar dhe ai u pyet në Shtëpinë e Bardhë të dielën dhe të hënën. Zoti Sams tha se procesi u mbyll të hënën. Hetimet po i drejton prokurori i posaçëm Robert Hur, i emëruar nga Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland për të mbikqyrur këtë rast me ndjeshmëri politike dhe për të shmangur konfliktin e interesit.
Zoti Sams rikonfirmoi se Presidenti Biden dhe Shtëpia e Bardhë po bashkëpunojnë. Ai tha se pyetjet mbi hetimin duhen drejtuar tek Departamenti i Drejtësisë.
“Siç e kemi thënë që në fillim, Presidenti Biden dhe Shtëpia e Bardhë po bashkëpunojnë për hetimet dhe siç duhet, ne kemi ndarë publikisht të dhënat e fundit, duke qenë sa më transparent që mundemi, duke mbrojtur dhe ruajtur integritetin e hetimeve”, tha ai. “Mbi pyetje të tjera që mund të keni, këtë herë drejtojuni Departamentit të Drejtësisë”.
Ka ndodhur dhe më parë që presidentët në detyrë të pyeten në kuadër të një hetimi penal. Presidenti George W. Bush u pyet për gati 70 minuta në kuadër të një hetimi për zbulimin e emrit të një punonjëseje të Agjencisë Qendrore të Zbulimit, CIA.
Në 1998, Presidenti Bill Clinton, u pyet më shumë se 4 orë nga prokurori i pavarur Kenneth Starr përpara një jurie të madhe federale.
Ekipi i prokurorit të posaçëm, Robert Mueller negocioi me avokatët e Presidentit të kohës Donald Trump për ta pyetur atë, por zoti Trump nuk pranoi të pyetet dhe përgjigjet e pyetjeve u dorëzuan nga avokatët e tij.