Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mund të përmirësojë historikun e Ukrainës në luftën kundër korrupsionit, tha të hënën (17/11) presidenti francez Emmanuel Macron.
Rruga e Ukrainës drejt anëtarësimit në BE kërkon reforma në sundimin e ligjit në vend, tha Macron gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Zelenskyn, të cilin e priti sot në Paris.
Javën e kaluar, Zelensky bëri thirrje për dorëheqjen e dy ministrave në qeverinë e tij, si pasojë e një hetimi mbi një skandal të dyshuar korrupsioni prej 100 milionë dollarësh që ka shkaktuar zemërim publik ndaj qeverisë së vendit.
Macron nga ana e tij rinovoi marrëveshjen për shitjen e 100 avionëve luftarakë Rafale të prodhuar nga industria franceze Dassault Aviation.
Ai tha gjithashtu se prodhuesi francez i trenave Alstom nënshkroi një marrëveshje me vlerë rreth 475 milionë euro për të furnizuar me motorë trenash kompaninë hekurudhore ukrainase.
Presidenti Volodymyr Zelenskyy tha nga ana e tij se marrëveshja që vendi i tij nënshkroi me Francën për të marrë 100 avionë luftarakë Rafale dhe tetë sisteme anti-ajrore SAMP/T do ta forcojë ndjeshëm mbrojtjen e saj kundër pushtimit rus.
Duke folur gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Paris, presidenti ukrainas shtoi se Ukraina mund të fillojë në të ardhmen bashkëprodhimin e avionëve luftarakë Rafale dhe shpreson të diskutojë me presidentin francez Emmanuel Macron se si të përshpejtojë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës.
