Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, thotë se është rivendosur rendi në këtë vend, pas disa ditësh trazirash.
Kështu është deklaruar ai të premten në mëngjes, ku tha se rendi kushtetues është rivendosur pothuajse në të gjitha rajonet.
“Agjencitë e zbatimit të ligjit po punojnë shumë. Rendi kushtetues është rivendosur kryesisht në të gjitha rajonet,” tha kreu i shtetit në një deklaratë, duke shtuar se operacionet për rivendosjen e rendit dhe ligjit do të vazhdojnë “derisa militantët të shkatërrohen plotësisht”.
Gjatë së enjtes pasdite në qytetin e njohur për ekonomi, Almaty, kanë ndodhur të shtëna me armë zjarri dhe shpërthime, ku janë parë edhe forcat e policisë të cilat kanë vepruar duke rrethuar një grup prej 200 individësh, raporton Euronews.
Në po të njëjtën kohë janë vendosur edhe ushtria ruse, duke përfshirë parashutistë të dërguar nga Moska, pasi presidenti Kassym-Jomart Tokayev, kërkoi ndërhyrje pas përshkallëzimit të protestave në vendin e tij.
Rusia dhe Kazakistani kanë një lidhje të ngushtë e po ashtu edhe një vijë kufitare 7600 kilometra.
Dhjetëra mijëra persona, disa duke mbajtur shkopinj e mburoja, kanë dalë në rrugë në ditët e fundit, pas rritjes së çmimeve të derivateve, në protestat më të rënda në Kazakistan që kur e ka fituar pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik tri dekada më parë. Dhjetëra protestues e 12 policë janë vrarë gjatë protestave në ish-vendin e Bashkimit Sovjetik. Janë arrestuar mbi dy mijë persona.




