Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro ka hedhur akuza të forta, ku pretendon se grupi kriminal i Dritan Gjikës, i cili pak ditë më parë u arrestua në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka tentuar ta vrasë.
Sipas Petro, rrjeti mafioz, i udhëhequr nga Gjika, kontrollon një grup të madh kriminal, përfshirë prokurorë, zyrtarë të inteligjencës dhe portin strategjik të Buenaventura-s në Kolumbi.
Nga ana tjetër ai shkon edhe më tej, duke e lidhur këtë grup me vrasjen e prokurorit paraguaian Marcelo Pecci në vitin 2022, ngjarje që tronditi rajonin.
“Ky quhet karteli i trafikut të drogës, me qendër në Abu Dhabi. Ata kontrollojnë një rrjet prokurorësh dhe, nëpërmjet CTI-së, portin e Buenaventurës. Ata janë autorët e vrasjes së prokurorit paraguaian Pecci dhe kanë arritur të mbulojnë autorët e vrasjes brenda prokurorisë. Ata kanë tentuar të më bëjnë atentat pa sukses”, shkruan Gustavo Petro.

Dritan Gjika, i cilësuar si kreu i një organizate kriminale në trafikun e tonelatave me kokainë, u arrestua në Emiratet e Bashkuara Arabe, mbrëmjen e së hënës. Për 47-vjeçarin shqiptar ishin lëshuar dy urdhër arreste ndërkombëtare, një në Ekuador e një tjetër në Spanjë. Gjika akuzohet për trafik droge, pastrim parash dhe krim të organizuar.
Për herë të parë, ai mbërriti në Ekuador në vitin 2009 me vizë turistike të përkohshme, por më pas u shndërrua në një prej personave më të kërkuar në vend, pasi udhëhiqte një organizatë kriminale që operonte si në Ekuador ashtu edhe në Spanjë.
Ai ndërtoi një rrjet të sofistikuar trafiku ndërkombëtar droge dhe pastrimi parash, duke përdorur kompanitë e tij të regjistruara ligjërisht si kamuflim për aktivitetin kriminal. Organizata e trafikut që drejtohej nga Dritan Gjika u godit më 6 shkurt të 2024-ës. Në atë kohë u arrestuan të paktën 30 persona dhe u sekuestruan 2 tonë kokainë.
Kjo organizatë ishte e ngarkuar për dërgimin e tonelatave të kokainës të prodhuara në jugperëndim të Kolumbisë, dhe e kamufluar në kontejnerë me eksporte frutash nga Ekuadori, kryesisht në banane. Sipas hetuesve të huaj, kjo organizatë kriminale akuzohet për të paktën 11 dërgesa me kokainë, nga porti i Guayaquil, më i madhi në Ekuador, drejt vendeve evropiane si Belgjika, Holanda dhe Spanja.