Presidenti i Venezuelës, i cili dikur punonte si shofer i autobusit, Nicolas Maduro, po e promovon një ilaç, siç po thotë ai, mrekullibërës që e neutralizon sëmundjen Covid-19 pa efekte anësore. Megjithatë, mjekët kanë thënë se ky pretendim nuk është i mbështetur në shkencë.
Përktheu: Nasuf Abdyli
Maduro të dielën e prezantoi ilaçin Carvativir, për të cilin tha se është testuar te pacientët në një spital të kryeqytetit Karakas dhe në një qendër sportive që po përdoren si hapësirë për urgjenca mjekësore.
“Ilaçi ka kaluar nëpër një periudhë prej nëntë muajsh studim, eksperimentim, zbatim klinik. Te të sëmurët, te ata që kanë qenë shumë të sëmurë, te personat e intubuar dhe ne i shëruam ata”, tha Maduro gjatë një fjalimi në televizion.
Ai e përshkroi këtë lëng si “pika mrekullibërëse të Jose Gregorio Hernandezit”, mjek venezuelas i shekullit XIX, pa dhënë hollësi për përbërësit aktivë të kësaj substance, shkruan Reuters.
Mjekët thanë se Carvativiri prodhohet nga trumza, lloj bime që për shekuj është përdorur në mjekësinë tradicionale, por efektet e së cilës ndaj koronavirusit nuk kanë qenë të njohura.
Akademia Kombëtare e Mjekësisë në Venezuelë tha përmes një deklarate të publikuar të hënën se Carvativiri ka potencial terapeutik kundër koronavirusit.
Ndryshe, Venezuela deri më tani ka regjistruar mbi 123.000 raste dhe 1.148 viktima të pandemisë. Maduro ka premtuar se rreth 10 milionë doza të vaksinës ruse, Sputnik V, do të arrijnë së shpejti.