Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ndihet “në formë shumë të mirë”, pasi iu nënshtrua kontrollit të parë mjekësor prej se u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janar.
Trump, 78 vjeç, iu nënshtrua kontrollit mjekësor, i cili përfshiu teste kardiake dhe të shëndetit mendor, 11 prill në Qendrën Mjekësore Walter Reed në periferi të Uashingtonit.
Ai u tha gazetarëve në avionin presidencial se “u përgjigja saktë në çdo pyetje” në testin për shëndetin mendor dhe shtoi se jo vetëm që ka “zemër të mirë” por ka edhe “shpirt shumë të mirë”.
“Mendoj se shkoi mirë”, tha Trump për ekzaminimin mjekësor, duke shtuar se i ishte nënshtruar “çdo testi që mund ta paramendoni”. Ai theksoi se raporti pritet të publikohet më 13 prill.
Presidentët amerikanë e kanë zakon të japin hollësi për shëndetin dhe mirëqenien e tyre, megjithëse nuk janë të detyruar ta bëjnë këtë.
Trump është akuzuar vazhdimisht për mungesë transparence në lidhje me shëndetin e tij, por Shtëpia e Bardhë tha se mjeku presidencial Sean Barbabella do të japë një përmbledhje të ekzaminimit dhe se “natyrisht” kjo do të bëhet publike.
“Mund të konfirmoj se presidenti është në formë shumë të mirë, siç e shihni pothuajse çdo ditë”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Trump, një adhurues i madh i golfit i cili nuk pi alkool apo cigare, është mburrur vazhdimisht për energjinë e tij që nga fillimi i mandatit të dytë, megjithatë është e ditur se ushqimi i shpejtë është dobësia e tij.
Mjeku i Shtëpisë së Bardhë gjatë mandatit të tij të parë, Ronny Jackson, tha në vitin 2018 se me një dietë më të shëndetshme Trump mund të “jetojë deri në 200 vjet”.
Ekzaminimet e bëra gjatë mandatit të parë treguan se Trump po merrte ilaçe për të trajtuar kolesterolin e lartë.
Raporti i Jacksonit sugjeronte se Trump duhet të humbiste 4.5 deri në 7 kilogramë, por në përgjithësi ishte me “shëndet të shkëlqyer” dhe pa shenja të “ndonjë problem me shëndetin mendor”.
Një vit më vonë, një ekzaminim tregoi se presidenti 1.9 metra i gjatë peshonte 110 kilogramë. Që atëherë, Trump duket se ka humbur pak peshë.
Mosha dhe shëndeti mendor u bënë një çështje kryesore në zgjedhjet e vitit 2024, kur Trump dhe presidenti i atëhershëm, Joe Biden, u përballën si kandidatët më të vjetër në histori nga partitë kryesore.
Biden, tani 82 vjeç, u detyrua të tërhiqej nga gara pas një debati televiziv kundër Trumpit në qershor, gjatë të cilit pati vështirësi në të folur, duke shtuar shqetësimet për shëndetin e tij.
Që nga rikthimi në detyrë, Trump ka krahasuar vazhdimisht energjinë e tij me atë të Bidenit, ndërsa Shtëpia e Bardhë ka akuzuar administratën e mëparshme për fshehjen e asaj që ajo e quan dobësim të shëndetit të Bidenit./ REL