Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur pakënaqësinë e saj ndaj refuzimit të propozimit për heqjen e tarifave ndaj produkteve amerikane, duke e quajtur këtë një vendim të turpshëm dhe të papranueshëm.
Gjatë një deklarate për media, Osmani ka theksuar se ndërsa Kosova ka eliminuar tarifat ndaj Serbisë, aleatit të saj ekzistencial, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i janë vendosur tarifa.
“Kjo nuk ka të bëjë me çështje fiskale, kjo ka të bëjë me aleanca strategjike. Llogariteni, sot në prill 2025, Kosova ka zero tarifa ndaj Serbisë, kurse i ka vënë tarifa SHBA-së – për mua kjo është turp, nuk ka turp më të madh,” ka deklaruar ajo.
Presidentja shtoi se propozimi i saj është refuzuar nga Qeveria, ndonëse vjen nga institucionet më të larta të vendit.
“Në vend se të mirëpritet një propozim nga Presidentja e Kosovës – unë nuk jam Presidente e Serbisë, jam e Kosovës – në fakt propozimet edhe nga qytetarët kur vijnë duhet të mirëpriten, e lëre më nga Presidentja që mbron interesin e vendit,” theksoi Osmani në Rubikon të Klan Kosova.
Ajo përmbylli deklaratën duke thënë se mënyra se si është trajtuar ky propozim tregon një refuzim të qartë nga ana e Qeverisë.