Presidentja e Hungarisë Katalin Novak, në fjalën e saj në seancën e posaçme në Kuvendin e Shqipërisë shprehu nevojën për stabilitet dhe paqe në Ballkanin Perëndimor.
Novak tha se siguria e Europës varet nga Ballkani Perëndimor, ndërsa theksoi se nevojitet një integrim europian i rajonit.
‘Shqipëria duhet të jetë sa më shpejt pjesë e Europës’, theksoi Novak. “Integrimi evropian është çelësi për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Paqja, siguria e Europës varet nga Ballkani Perëndimor dhe kemi nevojë sa më shpejt për integrim europian dhe mbështesim bashkimin e Shqipërisë në BE”, tha Novak, e cila shtoi se fuqia politike botërore e Europës është në pikëpyetje.
Teksa dënoi sulmin rus në Ukrainë, Novak u ndal dhe te tensionet në veri të Kosovës, ku vuri theksin te dialogu Kosovë-Serbi si e vetmja mënyrë për arritjen e paqes dhe stabilitetit.
“Të gjithë shohin Ukrainën por harrojmë sa e rëndësishme është siguria në Ballkanin Perëndimor. Shohim Kosovën dhe Bosnjën e sa pak duhet për të rritur tensionin që ajo të kalojë në nivel lufte. Është e rëndësishme të krijojmë stabilitet, paqe në BP. Në Kosovë kemi ushtarë hungarezë, në KFOR kemi mbi 400 ushtarë në këtë mision. 20 janë lënduar tashmë gjatë sulmeve dhe shumica prej tyre janë në spital. Situata mund të kalojë në agresion dhe ne duam ta shmangim me çdo lloj mënyrë”, theksoi Novak.
Imigracioni ilegal ishte një tjetër pikë kyçe në fjalimin e mbajtur nga presidentja hungareze në Kuvend. Ajo vuri theksin te nevoja për ndalimin e këtij fenomeni, duke thënë se “Ne duhet të bëjmë çdo gjë që ta ndalojmë imigracionin ilegal. Të bëjmë të pamundur atyre që çojnë njerëzit në mënyrë ilegale dhe të ndalojmë këtë tendencë”.