Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, ka reaguar pas incidenteve të rënda gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë dhe Rumanisë, të zhvilluar këtë fundjavë në qytetin e Kumanovës, ku tifozë vendas lëshuan thirrje fashiste dhe kërcënuese ndaj shqiptarëve.
Në një reagim publik përmes rrjeteve sociale, presidentja shprehu indinjatën e saj dhe deklaroi se populli maqedonas është i turpëruar nga sjelljet e një grupi tifozësh, të cilët sipas saj, “me plumba urrejtjeje goditën jo vetëm bashkëqytetarët shqiptarë, por të gjithë ne madje edhe vetveten”.
Siljanovska Davkova theksoi se “Maqedonia nuk mund dhe nuk do të lejojë më që arenat sportive të shndërrohen në arena urrejtjeje dhe dhune”. Ajo u shpreh se është koha për një edukim të ri qytetar dhe sportiv që nis nga shtëpia dhe vijon në shkolla, duke theksuar se shteti duhet të mësojë qytetarët “si të brohorasin për sportin, dhe jo për urrejtjen”.
Incidenti ka nxitur reagime të forta në opinionin publik dhe në skenën politike, pasi në stadium kanë qenë të pranishëm edhe zyrtarë të lartë shtetërorë, përfshirë kryeministrin maqedonas, ndërkohë që thirrje si “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët” janë konsideruar si gjuhë e rrezikshme me retorikë naziste.
Presidentja u bëri thirrje institucioneve që të reagojnë me vendosmëri dhe të mbajnë përgjegjës ata që nxisin urrejtjen etnike.