Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani zgjodhi që ditën e fundit të vitit 2024 ta kalojë në veriun e vendit. Ndalesa e saj e parë ishte Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Veriut, ku ishte e shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
“Në radhë të parë, ishim në vizitë në Drejtorinë e Policisë për t’i falënderuar policët e të gjitha komuniteteve për shërbimin e tyre të çdoditshëm në interes të të gjithë qytetarëve në mbrojtjen e jetës dhe pronës së tyre. Për t’i inkurajuar ata që edhe kur ka netë festash dhe ata sakrifikojnë duke qenë larg familjes së tyre dhe për t’iu dhënë gjithë mbështetjen e mundshme institucioneve të Kosovës”, deklaroi Osmani.
Më pas, Osmani, shoqëruar edhe nga kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, vizituan bizneset e hapura së fundmi nga shqiptarët në veri. Gjatë shëtitjes së saj në sheshin e Mitrovicës së Veriut, Osmani shpërndau edhe dhurata për fëmijët që në atë kohë ishin të pranishëm.
Në fund të vizitës së saj, Presidentja Vjosa Osmani takoi edhe familjet shqiptare që janë rikthyer së fundmi në lagjen “Kroi i Vitakut” në veriun e Mitrovicës, pas rindërtimit të shtëpive nga Qeveria.
Nga veriu, Osmani uroi edhe të gjithë qytetarët me rastin e festës së Vitit të Ri.