Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen prezantoi sot një projektpasaportë që parashikon të ndihmojë 27 shtetet e BE-së të rivendosin qarkullimin e lirë në mënyrë të sigurtë.
Komisioni Europian zbuloi sot projektcertifikatën, e destinuar për të lehtësuar, për personat e vaksinuar veçanërisht, udhëtimet brenda BE-së në kuadër të pushimeve verore, tashmë premtuar në diskutimet mes 27 shteteve të BE-së.
Ky dokument, që do të pajiset me një kod QR do të vërtetojë që mbajtësi i tij është vaksinuar kundër COVID-19, ka kaluar një test PCR negativ apo është imunizuar pas kalimit të infeksionit.
Edhe pse fushatat e vaksinimit ende po hasin vështirësi, kjo është kërkuar nga vendet europiane më shumë të varura nga turizmi, me Greqinë në krye.
Nga ana tjetër, shtetet e tjera janë më ngurruese dhe refuzojnë në veçanti rregullat e detyrueshme.
Kjo nismë do të paraqitet në mesditë nga presidentja e ekzekutivit europian, Ursula von der Leyen, si dhe komisionerët Thierry Breton dhe Didier Reynders.
Certifikata mund të mbahet në një smartphone ose në një dokument letër. Ajo ka për qëllim të lehtësojë lëvizjen e lirë në BE por nuk duhet të jetë një parakusht për këtë liri, sipas një versioni provizor të tekstit.
Kështu, njerëzit e pavaksinuar, për shkak se nuk janë pjesë e grupeve prioritare ose sepse nuk dëshirojnë të jenë, do të jenë në gjendje të vazhdojnë udhëtimin, duke iu nënshtruar, nëse është e nevojshme, masave të tilla si karantina.
Kjo certifikatë do të marrë parasysh katër vaksinat kundër COVID19 të autorizuara në BE si ato të Pfizer/BioNTech, Moderna, AstraZeneca/Oxford dhe Johnson & Johnson).