Një prezantues i një kanali lajmesh televiziv iranian me bazë në Londër është goditur me thikë jashtë shtëpisë së tij në qytet. Lajmin për plagosjen e tij e ka konfirmuar kanali ku punon i plagosuri. Iran International, i cili raportoi gjerësisht në vitin 2022 për protestat antiqeveritare në Iran, tha se Pouria Zeraati u sulmua nga një grup. Policia Metropolitane tha se oficerët e specializuar kundër terrorizmit po drejtonin një hetim për therjen me thikë.
36-vjeçari ështe në gjendje të qëndrueshme në spital ndërsa Komandanti Dominic Murphy, kreu i njësisë së komandës kundër terrorizmit të Met, tha se oficerët po kryenin hetimet për çdo motiv që qëndron pas sulmit. Murphy tha se patrulla shtesë po dërgoheshin në zonën e sulmit në jug të Londrës dhe në vendet e tjera përreth Londrës si një masë paraprake. Deri më tani nuk është raportuar asnjë arrestim.
Në nëntor 2022, dy gazetarë britaniko-iranianë të kanalit u paralajmëruan nga policia për një rrezik të mundshëm për jetën e tyre. Forca policie, të armatosura u vendosën pranë studiove të kanalit dhe barriera betoni u vendosën jashtë ndërtesës. Në të njëjtën kohë në Teheran, ministri i inteligjencës iraniane Ismail Khatib njoftoi se Iran International ishte shpallur organizatë terroriste nga regjimi i tij.