Filmi i ri “The Pope’s Exorcist”, me protagonist kryesor Russell Crowe, tregon historinë e vërtetë të një prifti katolik, At Gabriele Amorth, i cili pretendonte se ka përzënë Djallin nga trupi i njeriut në 60 mijë raste.
Prifti, i cili ndërroi jetë në vitin 2016, ka treguar rastin e një ekzorcizmi, ku u detyrua që pacientin ta lidhte në krevat: “Ka momente që lind nevoja ta lidhësh, pasi pështyjnë, vjellin… Në fillim, Djalli kërkon të demoralizojë ekzorcistin, pastaj ta tmerrojë atë. Por unë nuk jam tmerruar kurrë, pasi kam besimin nga ana ime. Unë qesh me Djallin dhe i them atij se kam Shën Mërinë me vete. Kur i them këtë, zakonisht ai e mbyll gojën”.
Kisha Katolike e njeh ekzorcizmin, por kjo praktikë ka dhe kritikë të shumtë brenda saj. Në të gjithë botën, kjo kishë ka rreth 400 ekzorcistë që vijojnë të bëjnë këtë punë.
Gjithsesi, At Amorth ka pranuar se shumë nga rastet që ka patur në duar kishin probleme psikologjike që do të ishte më mirë të shkonin te një doktor specialist.