Luçiano Boçi është kandidati i parë zyrtar i Partisë Demokratike për zgjedhjet vendore të 2023-shit. Nënkryetari i partisë është i vetmi në primaret e Elbasanit, pas një vendimi unanim të bazës, çka e bën e atë automatikisht njeriun me të cilën opozita do të përpiqet të marrë drejtimin e Bashkisë së Elbasanit.
“Në dijeninë time tani për tani në mbarim të afatit rezultoj të jem kandidati i vetëm në primaret e PD për bashkinë e Elbasanit. Është merita e gjetjes së gjuhës së përbashkët mes personave me reputacion politik”, tha Boçi.
Kandidimin në Elbasan, numri dy i demokratëve e sheh si borxh ndaj qytetit të tij.
Mandatin e deputetit që e fitoi me mund në zgjedhjet e 2021-shit, duke thyer herësin në Elbasan, Boçi është i gatshëm ta dorëzojë, për t’i shërbyer qytetarëve që e zgjodhën.
Përveç Boçit, A2 CNN mëson se edhe deputetja Elda Hoti është regjistruar në primaret për Bashkinë Kurbin, duke shprehur gatishmërinë për të dorëzuar mandatin, për t’u bërë pjesë e garës për pushtetin vendor.